PS tërheq një padi, vendimi për votat e gabuara më 3 qershor
Socialistët janë bërë konfuzë në trajtimin e çështjes së zgjedhjes së kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës. Pasi dështuan në kërkesën e parë të shqyrtuar ditën e enjte, dje ata janë detyruar të tërhiqen edhe nga kërkesa e dytë ankimore në Kolegjin Zgjedhor, objekt i së cilës ishte pavlefshmëria e vendimit të KQZ-së për të numëruar votat e gjetura në kutitë e gabuara. Një lëvizje kjo sa e detyruar aq edhe taktike nga ana e tyre, pasi po dje ata kanë paraqitur në këtë gjykatë një kërkesë të dytë, ku përfshihet dhe objekti i kërkesës së tërhequr gjatë seancës së djeshme.
Seanca
Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit të Tiranës nuk është dashur shumë punë dje për trajtimin e kërkesës ankimore të PS. Kjo sepse seanca ka zgjatur vetëm pak minuta, pasi PS ndërsa ka dështuar në bashkimin e kërkesave të saj, është detyruar të tërheqë padinë e saj. Trupa gjyqësore e drejtuar nga Sashenka Jonuzaj, ndërsa ka hapur seancën gjyqësore, është përballur që në fillim me një kërkesë procedurale të dy avokatëve socialistë, Eno Bushi dhe Arjan Salati, për bashkimin e çështjes që ishte në rend dite me një ankesë të re, të depozituar dje në mëngjes në këtë gjykatë. Më konkretisht, avokati Eno Bushi ka kërkuar që shqyrtimi i kërkesës ankimore me objekt goditjen si të pavlefshme të vendimit të KQZ-së të datës 18 maj “Për vlerësimin e votave të gjendura në kutitë e gabuara” të bëhej sëbashku me një kërkesë të re, objekti i së cilës ishte thuajse i njëjtë me atë të parën, me të vetmin ndryshim se me të goditej vendimi në tërësinë e tij, pra duke përfshirë dhe rezultatet e dala prej këtij procesi. E gjendur përballë një kërkese të tillë kolegji ka kërkuar dhe qëndrimin e palës së paditur, KQZ dhe palës së interesuar PD, të cilat në unison kanë theksuar se vendimi i datës 18 maj që goditej nuk ekzistonte dhe për rrjedhojë nuk mund të bashkohej një çështje që ekzistonte me një që nuk ekzistonte. Pas tërheqjes për vendimmarrje, Kolegji ka rrëzuar kërkesën e socialistëve për bashkim të shqyrtimit të dy kërkesave për arsye procedurale dhe ka ftuar palën paditëse të paraqesë pretendimet e saj. Por më kot, pasi socialistët nuk kanë dashur të rrezikojnë për një dështim të ri dhe kanë deklaruar tërheqjen e kërkesës që ishte dje objekt shqyrtimi në Kolegj. “Në këto rrethana Partia Socialiste meqenëse kërkesa e paraqitur sot është më e plotë në objekt dhe në argumente, heq dorë nga kërkesa që është në shqyrtim”, - tha avokati Eno Bushi.
Shorti
Me mbylljen e seancës, Kolegji Zgjedhor është mbledhur sërish, por kësaj here për të hedhur shortin dhe përcaktuar datën e shqyrtimit të kërkesës së re të socialistëve. Kështu kërkesa me objekt “Konstatimi si absolutisht të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së numër 709, datë 23.05.2011 “Për vlerësimin e fletëve të votimit pavlerësuara dhe të panumëruara për kryetarin, Këshillin Bashkiak, kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e Njësisë bashkiake, të cilat aksidentalisht nuk janë hedhur në kutinë respektive të votimit të së njëjtës qendër votimi në zgjedhjet e Bashkisë Tiranë të datës 8 Maji 2011”, të vendimi të KQZ-së të datës 18.05.2011”, do të gjykohet nga trupa e gjyqtarëve e përbërë nga Entela Prifti, Sashenka Jonuzaj, Astrit Kalaja dhe Petraq Dhimitri dhe e drejtuar nga Tom Ndreca. Seanca gjyqësore do të zhvillohet më 3 qershor. Siç shihet, në objektin e kërkesës së re përfshihet edhe kërkesa e tërhequr nga gjykimi i djeshëm.