E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhjetëra shtëpi, në rrezik shembjeje

Mat

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar shembje të mëdha toke, duke rrezikuar mbyllje rrugësh dhe shembje të shtëpive të banimit, në shumë zona të rrethit të Matit. Kështu, banorët e fshatit Rrethe Baz, në komunën me të njëjtin emër, japin alarmin se banesat e tyre janë në prag shembjeje, për shkak të rrëshqitjeve të tokës. Rreth 70 banesa të këtij fshati kanë pësuar çarje të mureve, ndërsa 5 shtëpi të fisit Gjoni janë shembur dhe nga dita në ditë rrezikojnë të përfundojnë në liqenin e Ulzës, për shkak të rrëshqitjes së një sipërfaqeje të konsiderueshme toke. Shtabi i emergjencave civile të komunës ka parë në vend situatën e krijuar në këtë fshat, ku ka bërë vlerësimin e të gjitha banesave të dëmtuara, duke i nxjerrë shumë prej tyre të pabanueshme, për shkak të dëmtimeve të rënda që kanë pësuar. Nga verifikimet e bëra është vërejtur se këto banesa kanë dëmtime serioze në të gjitha kolonat mbajtëse, mure, çati, dysheme etj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›