E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fiken filtrat, reja e smogut mbulon qytetin

Elbasan

Një re gjigante pluhuri ka mbuluar mesditën e djeshme qytetin e Elbasanit dhe zonat periferike të tij. Për shkak të erës, smogu që vinte nga zona industriale e qytetit është përhapur edhe në qytetin e Cërrikut e fshatrat përreth. Vetëm reshjet e shiut të pasdites kanë bërë të mundur shpërndarjen e resë së pluhurit. Paniku ka mbërthyer të gjithë banorët e këtyre zonave, ku shumë prej tyre kanë hamendësuar për rënien e ndonjë meteori në Tokë. Mësohet se shkak është bërë fikja e filtrave të fabrikave që punojnë në këtë zonë. Disa metalurgë të “Kurum” kanë pohuar dje se për të ruajtur filtrat dhe për të ulur koston e konsumimit të energjisë elektrike, ndodh shpesh të stakohen impiantet e filtrimit. Këta të fundit janë instaluar para disa kohësh nga të tria kompanitë që veprojnë në zonën industriale të këtij qyteti. Një “avari” e tillë është bërë e njohur për banorët, pasi në jo pak raste sistemet e filtrimit të gazrave që derdhen në atmosferë, fiken gjatë natës dhe ndizen sërish me nisjen e punës së turnit të parë të këtyre kompanive.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›