Rrëshqitjet e dherave thajnë për ujë Vlorën dhe Beratin
Rrëshqitjet e dherave kanë lënë mijëra banorë pa ujë të pijshëm në Vlorë dhe Berat. çarjet e tubacioneve kryesore nga rrëshqitja e tokës kanë krijuar një situatë alarmante, gjë që ka detyruar pushtetin lokal të kërkojë ndihmën e qeverisë. Kështu, Bashkia e Beratit ka kërkuar ndërhyrje urgjente për ndihma në mjete dhe specialistë për riparimin e tubacionit të ujit të pijshëm. Sipas grupit të gatishmërisë së Ndërmarrjes së Ujësjellësit Berat, shkëputjet e masiveve të dheut nuk e lejojnë ngjitjen e tubove të shkëputur. Kryetari i bashkisë, Fadil Nasufi, ka sqaruar se Ndërmarrja e Ujësjellësit nuk disponon mjete të nevojshme për riparimin e dëmit dhe kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë. Prej katër ditësh banorët e qytetit të Beratit dhe rrethinave të tij po vuajnë mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm. E njëjta situatë ka qenë edhe në qytetin e Vlorës. Sipas drejtorit të Ujësjellësit të Vlorës, Viron Hysi, çarjet e depos së ujit, si pasojë e rrëshqitjeve të dherave, janë shumë të mëdha. “Ne si ujësjellës kemi 3 ditë që po punojmë për të devijuar tubat. Por kjo nuk do ta zgjidhë problemin, pasi rrëshqitjet e tokës rrezikojnë të shembin depon e vetme të ujit që furnizon pjesën më të madhe të qytetit. I kemi bërë relacion qeverisë dhe firmës që po zbaton projektin e ujësjellësit në Vlorë, por ende nuk kemi marrë përgjigje”, ka sqaruar Hysi.
#