E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokatët në grevë: Shteti s‘na paguan prej një viti



Avokatët e paguar nga shteti, të njohur edhe si “avokatë kryesisht”, nisën dje bojkotin tri ditor të seancave gjyqësore, në shenjë proteste ndaj mosshlyerjes së detyrimeve nga shteti. Rreth 50 avokatë, të cilët nuk janë paguar që prej shtatorit të vitit 2009, nuk u paraqitën dje në gjykata. Në vijimësi të bojkotit, ata pretendojnë se nuk do të jenë prezentë as ditën e sotme dhe as nesër në sallat e gjyqit. Lajmi u konfirmua nga Shoqata e Avokatëve Penalistë, si edhe nga avokatë të cilët janë caktuar kryesisht në mbrojte të interesash të të pandehurve në shkallë të ndryshme të gjyqësorit. Sipas avokatëve, “braktisja” tri ditore e seancave do të pasohet me të tjerë “raunde” të protestës, nëse nuk shlyhen pagesat për punën e tyre. Mësohet se më të prekur nga vonesa e pagesës janë avokatët, kryesisht që mbrojnë interesa të të pandehurve në proceset gjyqësore në Gjykatën për Krimet e Rënda. Sipas ligjit, avokatët kryesisht duhet të paguhen çdo fund muaji. Kërcënimi për bojkot të seancave gjyqësore dhe të fazës së hetimeve nga avokatët, u bë pak ditë më parë nga Shoqata e Avokatëve Penalistë. Ndonëse data 5 prill ishte caktuar si datë e fundit, asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk ka “vënë ujin në zjarr”. Për rrjedhojë, avokatët kryesisht nisën dje bojkotin e tyre tri ditor. Sipas burimeve pranë Shoqatës së Avokatëve Penalistë, për bojkotin në fjalë janë lajmëruar më parë Gjykata e Tiranës dhe ajo e Krimeve të Rënda dhe gjykatat përkatëse të Apelit. Gjithashtu në dijeni janë vënë edhe Prokuroria e Tiranës, Prokuroria për Krimet e Rënda, si edhe Ministria e Drejtësisë. Drejtues të shoqatës pohuan për “Panorama”-n se në rast se nuk shlyhen detyrimet financiare ndaj këtyre avokatëve, ata do të organizojnë të tjera bojkote. Madje, sipas tyre, nëse problemi nuk zgjidhet bojkotit do t’i bëhen pjesë edhe avokatët e tjerë. “Avokatët kryesisht” janë avokatë, të cilët u sigurojnë mbrojte ligjore personave që nuk kanë mundësi ekonomike për të përballuar vetë një të tillë. Mundësia e një avokati kryesisht i ofrohet çdo personi të arrestuar, në çdo fazë gjykimi. Sipas ligjeve në fuqi, avokatët kryesisht paguhen 16 mijë lekë të rinj, për një proces të përfunduar gjyqësor. Për seanca të veçanta, ata paguhen nga 600 lekë të rinj. Ndërsa për seanca caktim mase sigurie, sigurim prove, apo fazë hetimore, paguhen me nga 3 mijë lekë të rinj. Ligjërisht këto pagesa duhet t’u shlyhen çdo fund muaji. Avokatët kryesisht caktohen nga prokuroria në fazën hetimore të çështjeve, si edhe nga gjykatë gjatë fazës së gjykimit të tyre. Ata mbrojnë interesat e të pandehurve në fazën hetimore, në seancat e vlerësimit të arrestit dhe në caktimin e masave të sigurisë. Në vijim, një pjesë e tyre zëvendësohen me avokatë të zgjedhur nga të pandehurit. ar. ba.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›