Vritet duke pirë kafe në Tiranë menaxheri i pub-it
ETLEVA DELIA
Menaxheri i një klubi nate u vra mbrëmë në një lokal pranë sheshit "Willson" në Tiranë, ndërsa plumbat në vendngjarje plagosën edhe një person tjetër. Elton Lulo, 29 vjeç, mbeti i vdekur pasi u qëllua katër herë me pistoletë rreth orës 22:30 në bar "Cosmos". Policia tha se viktima Elton Lulo, i cili banonte pak metra larg vendit të ngjarjes, në territorin e Njësisë Bashkiake nr.5, u qëllua për vdekje në një distancë të afërt me 4 plumba. Miku i tij, Bledar Caca, 19 vjeç, u qëllua nga një plumb i vetëm në krah. I plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pasi u dërgua me urgjencë në spital. Sipas grupit hetimor, vrasësi është futur në lokal dhe është drejtuar te tavolina ku ishin ulur Elton Lulo dhe miku i tij, Bledar Caca. Autori, ende i pa identifikuar nga policia, mbante një kapele në kokë, strehën e së cilës e kishte ulur poshtë që të mos i dukej fytyra. Sapo ka hyrë në lokal dhe ka mbërritur pranë 29-vjeçarit, vrasësi ka nxjerrë nga pjesa e brendshme e xhupit pistoletën, e cila sipas dëshmitarëve ka qenë pa silenciator. Ekzekutori ka qëlluar 5 herë në drejtim të tavolinës ku ishte ulur Elton Lulo, menaxher i një pub-i të njohur në zonën e ish-bllokut. Katër plumba janë derdhur në trupin e Elton Lulos, i cili u nis për në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë dhe gjeti vdekjen ende pa mbërritur aty. Sipas të dhënave paraprake të policisë, viktima i vrasjes, Elton Lulo, dyshohet se ishte përfshirë kohët e fundit në çështje kriminale. Policia po verifikon mundësinë e lidhjes së ngjarjes me pazare të prishura për çështje droge, megjithatë nuk ka të dhëna të sakta dhe zyrtare për këtë.
VIKTIMA e vrasjes
I riu, që mbeti i vrarë mbrëmjen e djeshme në kryeqytet, Elton Lulo, 29 vjeç, ishte i fejuar dhe banonte në pallatet pranë rrethrrotullimit të Tiranës së Re. Ai punonte si menaxher në një nga lokalet e natës, fare pranë vendit të ngjarjes. Pak kohë më parë, ai ka qenë bodigard në një tjetër lokal nate, përsëri pranë zonës ku ndodhi vrasja e djeshme. Dje në darkë, ai ndodhej në lokal "Cosmos", bashkë me mikun e tij Bledar Caca, i cili mbeti i plagosur, pasi ndodhej në të njëjtën tavolinë me viktimën. Sapo mori sinjalizimin për vrasjen rreth orës 22:30, policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes. Grupi i hetimit mblodhi disa dëshmi të rëndësishme, nga klientët që ndodheshin në lokalin ku ndodhi ngjarja. Sipas përshkrimeve të tyre, vrasësi ka qenë me kapele, me trup të mbushur dhe i gjatë, por ai ende nuk është identifikuar. Në vendin e ngjarjes, deri në orët e vona të mbrëmjes, policia ka qëndruar duke kryer veprimet hetimore. Oficerë të seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, por edhe efektiva të sektorit të Krimeve Kundër Drogës, po zhvillojnë hetime në lidhje me ngjarjen.
Oficerë të Antidrogës në vendngjarje
Menjëherë pas vrasjes së 29-vjeçarit Elton Lulo, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur veç specialistëve dhe hetuesve të sektorit të vrasjeve edhe oficerë të sektorit të antidrogës në policinë e Tiranës. Për ta viktima nuk ishte i panjohur pasi prej disa javësh Elton Lulo ishte vënë në vëzhgim për veprimtari të dyshuara në këtë fushë.