Analistët serbë, të rezervuar për Hagën
Diskutimi verbal i çështjes së ligjshmërisë të shpalljes së pavarësisë të Kosovës që ka filluar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë së Hagës më 1 dhjetor dhe që do të vazhdojë deri më 11 dhjetor të këtij viti me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të 29 shteteve, përfshi ata të Kosovës dhe të Serbisë, ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik ndërkombëtar të përgjithshëm dhe të atij të specializuar, midis të cilit ka nga ata që e konsiderojnë atë që ka nisur në këtë gjykatë si "proces historik", për shkak të karakterit të tij të veçantë. Por, sidoqoftë, më shumë atë e intereson se si do të përfundojë ky proces, pra, do të fitojë Kosova, në rast se Gjykata e Hagës konfirmon vlefshmërinë e shpalljes së pavarësisë së saj, të cilën deri tani e kanë njohur 63 shtete të botës, përfshi SHBA-në, Britaninë, Gjermaninë, Francën, Italinë etj., apo Serbia, përpjekjet diplomatike të së cilës kundër kësaj shpalljeje kanë qenë mjaft intensive dhe këmbëngulëse. Por vetë ekspertët dhe politologët serbë çfarë mendojnë për rezultatin përfundimtar të procesit që po zhvillohet në Hagë? Pavarësisht se, në mënyrë të vetëkuptueshme, janë "tifozë" të Serbisë, në deklaratat e tyre ata tregohen të rezervuar dhe të matur, duke marrë parasysh edhe rastin nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë së Hagës do të shprehet në favor të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe duke i detyruar ata, kështu, të shtrojnë pyetjen se çfarë do të bëjë në këtë rast Serbia. Politologu Milan Pajeviç i Fondit ISAC (International and Security Affairs Centre) të Serbisë, që promovon afrimin e kësaj të fundit me BE-në, i tha këto ditë stacionit radioteleviziv të njohur gjerman "Dojçe Vele" (seksionit në gjuhën serbe) se opinioni publik në Serbi nuk duhet të presë asnjë lloj vendimi bardhë e zi lidhur me shpalljen e "njëanshme" të pavarësisë së Kosovës. "Gjykata nuk do të japë përgjigje të qartë lidhur me çështjen e ligjshmërisë së pavarësisë të Kosovës dhe, për këtë arsye, gjykimi i gjykatës do të thotë vazhdim i një gjendjeje të pazgjidhur. Kështu, edhe pala serbe, edhe pala kosovare do ta interpretojnë vendimin përkatës ashtu siç do t‘u përgjigjet interesave të tyre", tha Pajeviç, duke theksuar më tej se, "në këtë rast, do të hyjmë në terrenin e politikës së brendshme të ditës si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë, dhe atëherë kam frikë se do të vazhdojnë akuzat e kundërakuzat politike dhe, sigurisht, shfrytëzimi i të gjithë këtyre elementëve për qëllimet e marketingut të përditshmërisë politike. Mendoj se kjo nuk do jetë në interes as të Serbisë, as të Kosovës, as të Ballkanit Perëndimor dhe as të Bashkimit Europian". "Vazhdimi i gjendjes së pazgjidhur lidhur me Kosovën nuk i përgjigjet Serbisë, sepse problemi kosovar do të mundë të shndërrohet në një lloj konflikti të ngrirë, që do t‘i komplikojë edhe më tej raportet në skenën politike të Serbisë, por edhe pozitën serbe në planin ndërkombëtar", thotë Pajeviç.
Serbia, në radhë të parë, pret që Gjykata e Hagës ta shpallë të paligjshme shpalljen e pavarësisë nga ana e Kosovës, gjë që, sikurse shpresojnë shtetarët serbë, do të ndikonte te procesi i njohjes së mëtejshme të Kosovës. Sidoqoftë, politologu i lartpërmendur serb paralajmëron se, në këtë drejtim, nuk duhet të ketë optimizëm të tepruar. "Kam mendimin se gjatë vitit të ardhshëm do të përballemi me disa befasira të pakëndshme të tjera, pavarësisht nga vazhdimi i procesit në Hagë. Dhe duhet ta dini se, nëse disa vende të largëta, me pak rëndësi në bashkësinë ndërkombëtare, nuk do ta njohin Kosovën, kjo për Serbinë nuk do të ketë, mund ta themi, asnjë rëndësi praktike". Politologu tjetër i njohur serb, Predrag Simiç, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike të Beogradit dhe ish-ambasador në Francë, nga ana e tij, vinte në dukje dje gazeta e përditshme serbe "Danas", vlerëson se procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ka filluar ndërsa Ballkani Perëndimor po hyn në fazën përfundimtare të integrimit europian. "Europa nuk dëshiron një Qipro të re dhe, për këtë arsye, pret një zgjidhje përfundimtare të problemeve etnike. Serbia, nga ana e saj, nga ky proces pret dy gjëra: së pari, ajo pret që ai të rezultojë në atë mënyrë që të ndalojë njohjen e mëtejshme të pavarësisë së Kosovës dhe, së dyti, që pas kësaj gjithçkaje Beogradi dhe Prishtina të ulen përsëri në tryezën e bisedimeve, në kërkim të një zgjidhjeje që, sidoqoftë, do të ishte më e pranueshme sesa ajo që u imponua në shkurt të vitit të kaluar", thekson prof. Simiç. Analistë dhe politologë të ndryshëm serbë vënë në dukje, me këtë rast, se Serbia nuk ka plan të qartë për "Day After" (Një ditë mbas), pra në rast se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë vlerëson se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
M.Sinemati