E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndjekje nga Lazarati në Sarandë, kapen 340 kg marijuanë

Rreth 340 kilogramë marijuanë Lazarati janë bllokuar natën e së enjtes nga policia e Gjirokastrës. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se lënda narkotike ishte duke u transportuar me një furgon nga Lazarati në drejtim të Sarandës, për t‘u trafikuar më pas drejt Greqisë. Sipas zëdhënësit të policisë, Gentian Mullai, ndjekja e furgonit me drogë ka vazhduar deri në vendin e quajtur "Ura e Gajdarit", në hyrje të qytetit të Sarandës, por në momentin kur drejtuesi i automjetit ka kuptuar se po e ndiqnin, ka reaguar dhe ka tentuar të largohej. Në këtë moment është kërkuar ndihma e policisë së Sarandës, që ka bërë bllokimin e rrugës dhe pas një ndjekjeje të shkurtër, furgoni me marijuanë është ndaluar dhe shoferi është vënë në pranga. I arrestuari është Niko Fuqi, i datëlindjes 1983, lindur dhe banues në fshatin Andon Poçi të Gjirokastrës. Nga kontrolli u konstatua se në brendësi të furgonit ndodheshin 10 çanta shpine me ngjyrë të zezë, si dhe 13 thasë plastmasi të mbushura me marijuanë të ndarë në pako të vogla. Pas peshimit të lëndës narkotike, rezultoi se pesha e saktë ishte 340 kilogramë marijuanë e presuar. Policia sqaroi se ndjekja e furgonit nga Lazarati deri në Sarandë u bë për të gjetur edhe pritësin e mallit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›