E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bullgaria pro Kosovës, Brazili kundër

Mbyllet java e parë e seancës së gjyqit ndërkombëtar për të shqyrtuar ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Ditën e djeshme kanë qenë dy vende të Amerikës Latine që kanë përkrahur Beogradin, ndërsa një vend anëtar i BE dhe NATO-s ka mbështetur pavarësinë e Kosovës. Në ditën e katërt, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Bolivia dhe Brazili kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, duke thënë se me të "është shkelur parimi i sovranitetit dhe tërësisë territoriale". Bullgaria ndërkaq, ka thënë se "krijimi i shteteve të reja varet nga fakti nëse ai entitet disponon popullatën, territorin dhe qeverisjen efektive". "Institucionet e përkohshme të Kosovës nuk kanë pasur të drejtën e shpalljes së pavarësisë dhe se ajo nuk është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, pasi ka shkelur Rezolutën 1244, citohet të ketë thënë përfaqësuesi i Bolivisë, Roberto Sarmjento. Sipas tij, Kosova nuk ishte koloni, nuk ishte e okupuar dhe as territor i vetadministruar dhe si e tillë nuk ka pasur të drejtën e vetëvendosjes". Qëndrim të ngjashëm ka pasur edhe përfaqësuesi i Brazilit, Hoze Medeiros, i cili ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, duke thënë se "Rezoluta 1244 i ka ofruar Kosovës autonomi të gjerë, por, njëkohësisht, ka garantuar integritetin territorial të ish-Jugosllavisë". Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës ka dalë Bullgaria. Përfaqësuesi i saj, Zllatko Dimitrov, ka cituar rezolutat e OKB-së, që flasin për shkelje masive të të drejtave të njeriut në Kosovë nga ana e autoriteteve serbe. Ndërkohë, ai ka pohuar se "Rezoluta 1244 kishte suspenduar të gjitha autorizimet e Beogradit në Kosovë" dhe ka shtuar se "pavarësia e Kosovës ka qenë episodi i fundit në procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë". Dimitrov ka theksuar se "Kosova është rast i veçantë dhe ka dalë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe administrimi ndërkombëtar". Përfaqësuesi bullgar ka shtruar pyetjen "nëse në të drejtën ndërkombëtare ekziston fare dispozita me të cilën ndalohet shpallja e pavarësisë", duke shtuar se një gjë e tillë nuk ekziston dhe se "krijimi i shteteve të reja varet nga fakti nëse ai entitet disponon popullatën, territorin dhe qeverisjen efektive". "Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel normat ndërkombëtare dhe as Rezolutën 1244 dhe si e tillë është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare", ka thënë përfaqësuesi i Bullgarisë. Nga ana tjetër, përfaqësuesi, Zhan Daspermon, ka thënë se "kualifikimi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës si akt jo i ligjshëm nuk do të kishte asnjë efekt praktik, sepse Kosova do të vazhdonte të ekzistonte si gjendje faktike". Ndërkohë, të hënën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, argumentet e tyre do t‘i paraqesin Kina, Qipro, Kroacia, dhe Danimarka, ndërsa një ditë më pas qëndrimet e tyre do t‘i paraqesin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Spanja dhe Rusia. Nga procesi i seancës dëgjuese rreth pavarësisë së Kosovës janë tërhequr dy shtete, Bahraini dhe Laosi, megjithëse të dyja ishin regjistruar zyrtarisht për të prezantuar pikëpamjet e tyre. Sipas orarit zyrtar të GJND-së, Bahraini është dashur të dëshmojë të enjten më 3 dhjetor, ndërkaq Laosi javën e ardhshme.

Bahraini është pritur të deklarohet në favor të pavarësisë së Kosovës, sepse ka njohur shtetin e ri më 19 maj të këtij viti, ndërkaq Laosi do të mbronte qëndrimin serb. Meqenëse edhe Prishtina edhe Beogradi kanë humbur nga një aleat, Kosova në GJND ruan epërsinë me një aleat më shumë se Serbia.

Y. Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›