E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, në pritje të analizave të kasetës filmike



Ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango, i është afruar më shumë se kurrë “ekspozesë” së drejtësisë pas “ekspozesë erotike”, që e ktheu atë në kryepersonazhin e 48 orëve të fundit. Organi Qendror i Akuzës ka nisur hetimet për çështjen e ish-ministrit të Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, pas shfaqjes së videos së transmetuar në emisionin “Fiks fare”, ku ministri i premtonte një vajze vendin e punës në këmbim të marrëdhënieve seksuale. Prokurorët, të cilët kanë marrë përsipër të ndjekin këtë çështje, kanë sekuestruar kasetën filmike ku paraqitej ish-ministri Pango duke ngacmuar seksualisht një vajzë të re. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme konfirmojnë se kaseta në të cilën shfaqet Ylli Pango ndodhet në zyrat e Prokurorisë, ku do t’i nënshtrohet një hetimi mbi autenticitetin e filmimeve nëse ato janë reale apo të manipuluara. Pasi organi i akuzës të bëjë verifikimet e pamjeve filmike, organi qendror i akuzës do të vendosë çfarë hapash të tjerë do të hedhë ndaj ish-ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në pamjet filmike të transmetuara në emisionin “Fiks fare”, ish-ministri Pango shfaqej duke joshur një vajzë me premtimin se do t’i siguronte një vend pune në promovimin e turizmit shqiptar në panairet ndërkombëtare. Gjatë bisedës, ish-ministri tenton ta zhveshë vajzën, e cila kërkonte punë. Një ditë pas publikimit të skandalit dhe shkarkimit nga detyra të ministrit Pango, Prokuroria ka sekuestruar kasetën duke nisur hetimet në lidhje me këtë skandal. Pamjet filmike të transmetuara në televizionin “Top Channel” ishin një gur i rëndë prove se ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango, mund të ketë shfrytëzuar postin e tij për të ofruar punësime në këmbim të favoreve seksuale. Megjithatë, prokurorët njohin vetëm gjuhën e ligjit e për të marrë zyrtarisht të pandehur zotin Pango ata duhet që fillimisht të sigurohen se fabula e emisionit përkon me zhvillimin normal të provës pamore dhe zanore. Kjo do të thotë se prokurorët duhet të vërtetojnë shkencërisht se bisedat nuk janë të montuara (një pretendim i menjëhershëm i ish-ministrit Pango) dhe se nuk janë bashkimi i disa copëzave filmike të radhitura në një mënyrë të tillë që e bëjnë të komprometueshme bisedën qëllimisht duke e nxjerrë nga konteksti normal. Për këtë arsye, prokurorët zakonisht pajtojnë ekspertë (që zakonisht janë teknikë të licencuar televizionesh), të cilët shprehen mbi llojin e provës pamore dhe zanore. Nëse vërehet se biseda është një bashkim fjalësh të thëna në kontekste të ndryshme, kjo hedh poshtë provën shkencërisht. Megjithatë, ky duket se do të jetë një verifikim rutinë i organit të akuzës në kushtet kur të paktën në pamje të parë duket qartë se televizioni “Top Channel” ka filmuar madje edhe vajzën që telefononte ndërsa ajo ishte duke kryer një bisedë të tillë.

7 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›