E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati: Policia dhunë ndaj dy të arrestuarve

 

SARANDE - Avokati i dy shtetasve, të arrestuar pasditen e së mërkurës me akuzën "dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim përfitimi" ka depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë, një kallëzim, për keqtrajtimin e klientëve të tij. Sipas avokatit Tartar Bazaj, dy të keqtrajtuarit janë Oltion Varfi, 19 vjeç dhe Aristil Gllucaj, 18 vjeç, të dy nga Vlora. Dy të rinjtë, sipas policisë, u kapën në autobuzin e linjës Sarandë-Qafë-Botë, duke ndihmuar për kalim të paligjshëm të kufirit 5 shtetas. Bazaj pohon se ditën e shoqërimit të tyre në Komisariatin e Policisë së Sarandës ndaj tyre është ushtruar dhunë fizike për firmosjen e disa deklaratave nga dy punonjës policie, civilë. Avokati pohon se ka dhe ankesa dhe probleme shëndetësore të shkaktuara, nga goditjet në fytyrë dhe trup si dhe dhunë psikologjike. Për këtë është kërkuar edhe ekzaminimi mjeko-ligjor i shtetasit Oltion Varfi, ndërsa shtetasi tjetër Aristila Gllucaj, ka kërkuar mbrojtje ligjore një ditë më vonë. Më pas, sipas avokatit, Gllucaj është shoqëruar për në Urgjencën e Spitalit të Sarandës. Gjendja e tij, është përkeqësuar dhe për këtë avokati ka kërkuar edhe një ekzaminim mjeko-ligjor për të, gjë që është refuzuar nga ana e spitalit, duke e argumentuar refuzimin me faktin se urgjenca nuk mban përgjegjësi për ekzaminimin mjeko-ligjor dhe se eksperti thërritet nga Prokuroria. Familjarët e të lënduarve i janë drejtuar Avokatit të Popullit për zbardhjen e ngjarjes.          sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›