E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupet rivale hapin zjarr mes qytetit

 

SHKODER / RIDVAN DIBRa

Shkëmbimi i zjarrit mes grupeve të armatosura nga dy makina në ecje, shkaktuan panik në mes të ditës në Shkodër. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 12:30 minuta në lagjen "10 korriku", në rrugën hyrëse të qytetit. Personat ende të paidentifikuar shkëmbyen zjarr për gati 200 metra, duke rrezikuar seriozisht jetën e dhjetëra kalimtarëve të rastit. Policia ka nisur hetimet, ndërsa dyshohet se larja e hesapeve të jetë edhe motivi i konfliktit me armë. Mësohet se nga kjo ngjarje mbeti i plagosur një person, i cili ishte duke pirë kafe në një nga lokalet e lagjes, pak metra ku ndodhi shkëmbimi i zjarrit. Sipas policisë, bazuar edhe në deponimet e dëshmitarëve okularë, dy automjetet që u përfshinë në konfliktin e armatosur dhe që po lëviznin në kahe të kundërta ishin një "Mercedes Benz" dhe një fuoristradë. Po nga dëshmitarët mësohet se fillimisht personat që gjendeshin në "Benz" qëlluan të parët drejt fuoristradës. Këta të fundit iu kundërpërgjigjën menjëherë, duke shkëmbyer zjarr për disa minuta. Tmerri dhe paniku mbërtheu kalimtarët. Policia, bazuar edhe në numrin e madh të gëzhojave të gjetura, pohoi se kjo ngjarje mund të kishte precipituar me disa viktima të pafajshme. Por për fat të mirë, vetëm njëri prej tyre mori dy plagë të lehta në këmbë. Hysni Tula, 53 vjeç, është dërguar në spitalin e qytetit të Shkodrës, nga ku mësohet se gjendja e tij është jashtë rrezikut. Mjekët kryen ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e plumbave. Policia e Shkodrës mbërriti në vendin e ngjarjes shumë shpejt, por mjetet ndërkohë ishin larguar. Shumë afër rrezes së zjarrit mësohet se ishte edhe një furgon bashkë me eskortën përkatëse që po transportonin paratë e bankës "Reiffaisen". Fillimisht u dyshua se personat hapën zjarr pikërisht për të grabitur "arkën" e kësaj banke, por më pas kjo pistë u hodh poshtë zyrtarisht nga policia e Shkodrës. Kjo, pasi eskorta dhe furgoni me paratë kanë vijuar të qeta rrugën drejt qytetit, ndërsa makinat vijuan për disa minuta shkëmbimin e armëve. Policia bëri të ditur se ende nuk ka të dhëna nëse personat brenda makinës janë prekur nga plumbat e njëri-tjetrit. Gjithsesi, blutë po mbajnë në vëzhgim spitalet dhe disa ambulanca të qytetit, nëse ndonjë i plagosur paraqitet për të marrë ndihmë mjekësore. Njëherazi u ngritën disa postblloqe dhe u kryen kontrolle në disa makina të dyshuara, por deri në orët e vona të darkës, policia nuk mundi të arrestonte autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë. Policia dyshon në disa pista si motiv të këtij konflikti të armatosur. Larja e hesapeve midis grupeve kriminale është një ndër pistat që po hetohet. Por nuk përjashtohet edhe hakmarrja apo ndonjë konflikt i ditëve të fundit ndërmjet personave për shkaqe që nuk përcaktohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›