E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbetet në qeli 35-vjeçari, akuzë se tentoi të varroste të gjallë pengun

 

TIRANE - Gjykata e Tiranës vendosi dje të linte në qeli deri në përfundim të hetimeve 35-vjeçarin Aleksandër Akulli, i arrestuar për pengmarrje dhe tentativë vrasje ndaj 27-vjeçarit Elis Gurra. Përfaqësuesi i prokurorisë së kryeqytetit, pohoi dje se pas hetimeve paraprake ka rezultuar se i arrestuari Akulli së bashku me dy persona të tjerë kanë marrë peng të dëmtuarin Gurra dhe pasi e kanë dërguar në periferi të fshatit Arbanë kanë hapur një gropë dhe kanë tentuar ta varrosin të gjallë pasi e kanë zhveshur. Duke përfituar në një moment të humbjes së vëmendjes, pengu ka mundur të shpëtojë dhe është larguar me vrap duke denoncuar në polici. I pandehuri pohoi para gjyqtares së gatshme se kishte alibi për të vërtetuar të kundërtën e asaj që pretendonte prokuroria. Ai tha se kishte dëshmitarë që mund të tregonin të gjitha vendndodhjet e tij, ditën që pretendonte i dëmtuari se ishte marrë peng. Për më tepër, ai pohoi se prova kryesore që e vërtetonte ishte telefoni i tij, i cili duhet të verifikohej nga kompania celulare se nga cila antenë kishte komunikuar. Sipas denoncimit të bërë në polici, Gurra pohon se tre persona të veshur me uniforma policie kanë shkuar në banesën e tij në Vaqar, dhe i kanë kërkuar të shkonte me ta për një verifikim. Pasi e kanë transportuar pengun me makinë në periferi të Arbanës, ata kanë hapur një gropë 1 metër të thellë e dy metra të gjatë dhe kanë dashur ta groposin për së gjalli. Rrëmbyesit madje kanë arritur deri aty sa e kanë pyetur pengun për dëshirën e fundit para se ta vendosnin në gropë. Pengmarrësit kanë folur mes tyre gjermanisht që të mos kuptoheshin nga i rrëmbyeri, ndërsa i kanë lidhur duart. Dy nga pengmarrësit janë larguar për te makina ndërsa i treti me automatik në dorë është lënë për të ruajtur pengun. Gurra këtë moment është ngritur në gjunjë dhe më pas në këmbë dhe është larguar me vrap në drejtim të fshatit, ku është ndihmuar nga një banor i zonës. Roja ka tentuar të qëllonte me "Kallashnikov", por arma i është bllokuar, ndërsa kur ka qëlluar viktima ishte larguar mjaft, duke mos e kapur asnjë nga katër plumbat.         fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›