E Diel, 1 Nëntor 2026

“S’pendohem për vrasjen e nënës”

 

Fatos Mahmutaj

"Mund t'ju duket qesharake, zonja gjyk-atëse por unë jam i pafajshëm. Nuk ndihem aspak i penduar për atë që kam bërë, pasi ime më e kishte mbushur kupën". Alkent Birko, i arrestuar tre ditë më parë për masakrimin e nënës së vet, dukej i qetë dje në Gjykatën e Tiranës ndërsa ishte me të njëjtin mendim me avokaten e caktuar kryesisht duke kërkuar lirimin nga qelia. I shoqëruar nga policia në gjykatë, mesditën e djeshme, 35-vjeçari pranoi të rrëfehej duke treguar me hollësi gjithë ngjarjen. Sipas tij, ditën e krimit ishte kthyer rreth pasdites në shtëpi ku ishte grindur me të ëmën. Vitet e fundit ai grindej shpesh me nënën dhe gjithmonë ishte shkak fakti që ai ishte i papunë dhe kërkonte gjithmonë para për të siguruar lëndën narkotike. 35-vjeçari pohoi se kishte nisur të përdorte lëndë narkotike që nga fillimi i viteve '90 dhe prej atëherë droga i ishte bërë domosdoshmëri. Kohët e fundit e vetmja mënyrë për të siguruar lëndën narkotike ishte pensioni i nënës, të cilin ajo nuk ia jepte, çka kishte sjellë edhe grindje të vazhdueshme midis tyre. Duke shpjeguar, Birko tha se prindërit e tij ishin divorcuar para 30 vjetësh dhe që nga ajo kohë nëna jetonte vetëm me të, kurse i ati në një tjetër familje. Duke treguar për ditën e krimit, 35-vjeçari tha se kishte shkuar në banesën rreth orës 16 dhe kishte qëndruar pak, pasi ishte grindur me nënën, e cila sipas tij i ndërhynte në jetën personale. Pas kësaj ai kishte dalë dhe ishte kthyer sërish në shtëpi. Sapo kishte hyrë kishte nisur sërish nga zënka dhe duke mos duruar e kishte qulluar të ëmën 58-vjeçare me çekiç në kokë. Por edhe pas kësaj nuk kishte mundur ta rrëzonte përtokë, por i ishte dashur ta shtynte me forcë derisa e kishte rrëzuar mbi një divan. Aty e kishte qëlluar me thikën e bukës që kishte gjetur mbi tavolinë, në zemër, çka i ka shkaktuar vdekjen. Pas kësaj i qetë, tregoi se kishte larë duart dhe kishte ndërruar veshjen pasi ishte përlyer me gjakun e së ëmës. Ndërsa e ëma jepte shpirt, ai tha se kishte pirë një cigare dhe pasi ishte qetësuar pak kishte pirë edhe një kafe turke, të cilën e kishte bërë vetë. Pas kësaj kishte vendosur të vetëdorëzohej në polici, duke u drejtuar për në komisariatin më të afërt të policisë. Pas rrëfimit, i cili sipas prokurorisë ishte i njëllojtë me deklarimet që i pandehuri kishte dhënë në momentin e arrestimit, përfaqësuesi i akuzës i kërkoi gjykatës mbylljen e tij në qeli deri në përfundim të hetimeve. Vetë i pandehuri dhe avokatja e tij mbrojtëse e caktuar, kryesisht kërkuan një masë më të lehtë sigurie. Gjykata vendosi që i riu të hetohet nën masën e sigurisë "burg pa afat", pasi paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›