Greqia dënon komandantin e policisë
GJIROKASTER - Gjykata e Janinës dënoi dje komandantin e Postës së Policisë së Dropullit, Jorgo Kokoli, me dy vjet liri me kusht dhe 10 mijë euro gjobë. Kokoli është pezulluar nga detyra dhe pritet të përjashtohet nga radhët e saj pas një incidenti të ndodhur në pjesën greke të Kakavijës, për të cilin mori edhe këtë dënim. Mësohet se 39-vjeçari është arrestuar nga pala greke para tri ditësh. Ai u akuzua për kundërshtim me dhunë të homologëve të tij kur ndodhej civil në pjesën helene të Kakavijës. Sipas policisë së Gjirokastrës, ai është konfliktuar me tre punonjës të policisë, pasi kishte blerë disa mallra në dyqanin "Duty Free". Pas shoqërimit në Janinë, Kokoli doli dje për të mësuar masën e arrestit nga ana e Gjykatës, e cila vendosi dënimin me kusht dhe gjobën 10 mijë euro. Ndërkohë, burime të policisë bënë të ditur se ai është kapur në tentativë për të kaluar ilegalisht në Greqi një çift shqiptar. Kokoli është konfliktuar me policët grekë për të shpëtuar nga vepra penale e dhënies ndihmë për kalim ilegal të kufirit me qëllim fitimi, pasi legjislacioni grek parashikon për këtë vepër penale minimalisht tre vjet burg pa paguar gjobë. Ish-oficerë të Policisë së Gjirokastrës të dalë në reformë, që kanë punuar vite të shkuara, u shprehën se Kokoli para se të vishej polic në vitin 2005, ka qenë element i dyshuar në trafikimin e klandestinëve. Është hera e parë që një oficer i policisë shqiptare arrestohet në territorin grek dhe dënohet nga një gjykatë e këtij vendi. p.n