E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkumbini ëndërron Europën, Rizvanolli protagonist



Shkumbini e ka seriozisht. Peqinasit e presidentit Xhavit Ismaili duan pjesëmarrjen e tyre të parë në Europë. Fitorja 2-0 ndaj Apolonisë në javën e 10-të pason atë ndaj Partizanit në kryeqytet shtatë ditë më parë. Tani, në vendin e tretë, me 18 pikë, po aq sa Vllaznia, e një pikë më pak se Tirana, që ka dhe një ndeshje për të luajtur. Protagonisti absolut është po ai. Erjon Rizvanolli. Goli i tij në minutën e 9-të (1-0) entuziazmoi tifozët më Peqin, ndërkohë që ish-lojtari i të tria ekipeve të Tiranës - Dinamos, Tiranës e Partizanit – realizoi golin e tij të gjashtë sezonal. Po aq sa Memelli i Tiranës (ka në dispozicion edhe ndeshjen kundër Elbasanit të dielën) e Dhembi i Vllaznisë (shënoi të shtunën kundër Lushnjës). Për të fiksuar fitoren e pestë sezonale të formacionit të Gugash Maganit mendoi maqedonasi Delioski, i cili me golin e tij në minutën e 83-të dyfishoi shifrat. Trajneri serb i Apolonisë, Esad Karishik, mori leksionin e parë në futbollin shqiptar: një humbje që ka vetëm ngushëllimin se u luajt në transfertë dhe ndaj një prej katër ekipeve më të mira për momentin të Shqipërisë. Ndërsa Shkumbini regjistroi fitoren e dhjetë jubilare me Apoloninë në 22 takime historike, Apolonia gjendet në një pozitë jo të kënaqshme në renditje: vendi i 10-të me vetëm 8 pikë pas 10 ndeshjesh, dy pikë më shumë se Partizani i vendit të fundit, që nga ana e tij barazoi me Besën (0-0) në Kavajë të premten dhe një më shumë se Lushnja, që nga ana e saj humbi thellë në shtëpi me Vllazninë (1-4).

Kategoria Superiore
Java 10

Të premten, 07.11.2008
Besa-Partizani 0-0

Të shtunën, 08.11.2008,
Lushnja-Vllaznia 1-4
Çela 93’(p)/ 11' Beqiri, 27' Bashic, 31' Dhembi, 47' Lici
Shkumbini-Apolonia 2-0
Rizvanolli 9', Deliovski 83'
Teuta-Bylis 1-0
Vila 73' 1-0

Sot, 09.11.2008
Elbasani-Tirana (Latifi)
Dinamo-Flamurtari (Jareci)

Renditja
Tirana* 19
Vllaznia 18
Shkumbini 18
Dinamo* 16
Besa 16
Teuta 16

Elbasani* 12
Flamurtar* 11
Bylisi 9
Apolonia 8
Lushnja 7
Partizani 6
* Një ndeshje më pak

9 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›