E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati: Procesi ndaj Bares “nul”, ka disa shkelje ligjore

27/09/2011  Kërkohet pafajësi për drejtuesin e Bandës së Lushnjës, më 3 tetor jepet vendimi

TIRANE-“Procesi gjyqësor kundër Aldo Bares është ngritur mbi skenarë politikë, dhe se dosja në ngarkim të tij rezulton të jetë “nul” për shkak se në të janë kryer dhjetëra gabime procedurale”. Kështu e ka nisur mbrojtjen e kapos së Bandës së Lushnjës, Aldo Bare, avokati i tij Vladimir Meçi, i cili pasi parashtroi shkeljet e bëra nga Prokuroria dhe gjykata, i kërkoi trupit gjykues të Apelit shpalljen të pafajshëm të të pandehurit Aldo Bare. Meçi theksoi se klienti i tij është gjykuar dhe dënuar një herë nga gjykata e Elbasanit për të njëjtat vepra penale dhe se gjykata e ka shpallur fajtor me 25 vjet burg, ku më pas ajo e Apelit në Durrës e ka dënuar përfundimisht me 7 vite burg. Avokati Meçi argumentoi se duke qenë para faktit se një person nuk mund të dënohet dy herë për të njëjtën akuzë, detyrimisht del se procesi ndaj Aldo Bares është “nul” dhe se ai duhet të lirohet menjëherë nga qelia. Gjithashtu mbrojtja pretendon se Aldo Bare duhet të rifitojë lirinë, pasi e njëjta Gjykatë e Apelit, ka shpallur të pafajshëm një prej bashkëpunëtorëve të tij të akuzuar për vrasjen e shtetasit shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri. Pak ditë më parë për këtë vrasje gjykata shpalli të pafajshëm Afrim Hoxhën, duke rrëzuar dy dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë për këtë ngjarje. Ndërkohë gjatë leximit të konkluzioneve të tij Meçi shkoi më tej, duke thënë se Prokuroria nuk disponon asnjë provë të vetme mbi vrasjen e biznesmenit Demiri, dhe se nuk e ka të qartë nëse ai është vrarë apo jo. Kjo sipas avokatit, se organi i akuzës nuk disponon asnjë certifikatë vdekje të Xhevat Demirit, s’ka asnjë raport për këqyrjen e kufomës, asnjë raport për kryerjen e vendit të ngjarjes dhe asnjë shkresë nga spitali i Lushnjës dhe jo vetëm, për sjelljen e trupit në morg. Sipas mbrojtjes, në këtë rast kemi të bëjmë me një person mister që edhe pas kaq shumë vitesh nuk dihet as dhe nga Prokuroria, nëse është i gjallë apo i vdekur. Për sa i përket dëshmisë së shtetasit Gramoz Selmani, dëshmitarit të mbrojtur nga drejtësia shqiptare, sipas avokatit të Aldo Bares ajo duhet të konsiderohet e pavlefshme, për shkak të shkeljeve procedurale gjatë administrimit të saj në fashikullin gjyqësor. Avokati Meçi vuri në dukje, se Gramos Selmani, dëshmitari që vuri me shpatulla pas muri Baren për vrasjen e shtetasit Genci Kashari, është thirrur në gjykatë në cilësinë e të pandehurit, për shkak se Prokuroria e Lushnjës kishte nisur një procedim ndaj tij. Mirëpo nga verifikimet e mbrojtjes rezultoi se tre ditë pasi të thirrej si dëshmitar, Prokuroria e Lushnjës e kishte zhveshur nga akuza dhe se ai nuk ishte më me statusin e të pandehurit. Pritet që në datën 3 tetor gjykata të japë vendimin ndaj kapobandës së Lushnjës, Aldo Bare.

Pretendimet e mbrojtjes

1. Aldo Bare nuk mund të dënohet dy herë për të njëjtën akuzë.

2. Gramos Selmani është thirrur si i pandehur, kur s’ka qenë i tillë.

3. Xhevat Demiri nuk dihet nëse është i vdekur ose jo.

4. S’ka raporte, mjekësore e tjerë për kufomën e Demirit.

5. Apeli rrëzoi dy dëshmitarët për vrasjen e Xhevat Demirit.

6. Procesi ndaj Bares ka ngjyrime politike.

7. Dhënin menjëherë të lirisë Aldo Bares.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›