E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes nga korrenti 23-vjeçari, mblidhte skrap pranë një kabine elektrike

27/09/2011  Mbledhja e skrapit nga të rinjtë, përpjekje për të pasur 100 lekë në xhepat e tyre

KORÇE- Një i ri, Anxhelo Hoxhalli, vetëm 23 vjeç, banues në fshatin Vashtmi të rrethit Korçë u transportua në gjendje të vdekur në spitalin e Korçës. Prindërit e tij e dinin që ai ishte ndarë përfundimisht nga jeta, por zemra e tyre shpresonte se mjekët do të gjenin te shpirti i birit të tyre një frymëmarrje të padukshme që do të mund ta sillte sërish në jetë dhe ata përsëri do të shihnin buzëqeshjen e tij. Nuk ndodhi kështu. Gjithçka kishte qenë e pamundur. Anxhelo Hoxhalli nuk do të ishte më. Ai së bashku me shokun e tij, Skerdi Malësia, 22 vjeç, banor i fshatit Vashtmi, kishin shkuar për të mbledhur mbetje hekuri te ish-reparti 66-14. Te kabina elektrike e këtij reparti, Hoxhalli, do të këpuste disa kabllo alumini, por pikërisht në këtë çast do të ndodhte dhe tragjedia. Kabllot e aluminit kishin pasur rrymë elektrike. Elektriciteti ishte shkarkuar mbi trupin e tij. Kaq kishte mjaftuar që zemra e tij të mos rrihte më. Këtë fund i rezervoi fati 23-vjeçarit, Anxhelo Hoxhalli, por si ai të njëjtin fat mund të kishin pasur edhe shumë bashkëmoshatarë të tij. Ka qenë vetëm rastësia ajo që i ka ndihmuar, sepse në të vërtetë nuk është herë e parë që mjaft të rinj, në pamundësi për të gjetur një punë, dhe dëshira për të pasur 100 lekë në xhepin e tyre, tentojnë të mbledhin skrap duke sakrifikuar jetën, ose duke rrezikuar burgun. Kërkesat që nuk ua përmbush dot familja përpiqen t’i plotësojnë vetë duke gjetur rrugë të tjera, qofshin ato dhe të dënueshme, pasi i tmerron ideja e të qenit të veçuar nga shoqëria. Sigurimi i të ardhurave nga mbledhja e skrapit ka qenë gjithnjë në shuma të vogla, madje në pak raste e kalojnë vlerën e 1000 lekëve. Ashtu si Anxhelo Hoxhalli që humbi jetën në mënyrën më tragjike, në fenomenin e mbledhjes së skrapit janë të përfshirë edhe adoleshentët, por edhe të rriturit. Nga statistikat e Drejtorisë së Policisë për Qarkun e Korçës, të kërcënuara nga vjedhjet nuk janë vetëm kabllot elektrike dhe pusetat e kanalizimeve, por edhe ish-institucionet shtetërore. Vetëm për vjedhjen e tubave të ujësjellësve ka pasur 6 të arrestuar, për tubat e ujitjes 3 të arrestuar, për vjedhjen e skrapit (hekur) në ish-uzinën mekanike, 4 të arrestuar, ku mes tyre kishte qenë dhe një 12- vjeçar, për vjedhjen e hekurit të kangjellave të shkollës në lagjen nr.16 u kap një 16-vjeçar, për vjedhjen e skrapit në minierën e Bezhanit u arrestuan 5 të rinj, për vjedhjen e minierës së trenit u arrestuan dy persona, njëri 24 vjeç dhe tjetri 20 vjeç, për vjedhjen e kromit në minierën e Pogradecit u arrestua një 19- vjeçar dhe një 22-vjeçar. Ndërkohë një grup adoleshentësh prej 5 vetash u kapën me mbetje hekuri të vjedhur në banesa të ndryshme. V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›