E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet në atentat me automatik Arjan Selimi i “Kompas”, kapet një

27/09/2011  Vritet bashkëshorti i Inis Gjonit, kur hipte në makinë. Policia heton pistën e trafiqeve

TIRANË- Vetëm disa javë zgjati liria e Arjan Selimit, ish-bosit të drogës, pasi dje në darkë, dy persona e pritën sa të shkonte tek makina dhe i zbrazën të paktën 6 plumba automatiku, duke e lënë të vdekur në vend. Selimi, bashkëshorti i show-girlit Inis Gjoni, prej disa muajsh kishte fituar lirinë, teksa gjykohej ende për trafik droge, teksa ishte kapur në aksionin “Kompas” të vitit 2004, por ora 19.20 e së djeshmes ishte e fundit për të. Atentati tipik mafioz ndodhi pranë ish-parkut të autobusëve, në fund të “Rrugës së Kavajës”, kur dy persona që duket se kishin studiuar lëvizjet e tij, e qëlluan me breshëri automatiku. Në atë moment 37-vjeçari Selimi shoqërohej nga Kletis Tola, 19 vjeç dhe plumbat nuk e kanë kursyer as këtë të fundit. Nga burime konfidenciale pranë bluve të kryeqytetit mësohet se ekspertët e Seksionit kundër Vrasjeve e shoqëruan të plagosurin për në Spitalin Ushtarak dhe rrugës mundën t’i shkëpusnin disa përshkrime të autorëve, nga të cilat në orët e vona të mbrëmjes u mundësua edhe ndalimi i një personi 25-35 vjeç, emri i të cilit ende mbahet sekret, si i dyshuar për këtë vrasje. Prita e atentatorëve kishte nisur që në rrugën “Baba Rexha”, ku banonte Arjan Selimi dhe përfundonte pikërisht në çastin kur do të hipte në makinën e tij tip “Range Rover” që e kishte parkuar në afërsi të Parkut të Autobusëve. Duke shfrytëzuar edhe errësirën që mbizotëron në atë zonë vrasësit kanë zbrazur plumbat e armës që deri më tani dyshohet të jetë automatike. Kalimtarët e rastit lajmëruan autoambulancën dhe policinë, të cilët transportuan për në Spitalin Ushtarak 19-vjeçarin e plagosur, teksa për Selimin gjithçka kishte mbaruar, pasi plumbat i kishin prekur kraharorin dhe barkun. Aksioni i policisë së Tiranës nisi që në atë moment dhe hetimet janë shtrirë në disa pista kryesore, ku konkurrenca dhe lidhjet me botën e trafiqeve të drogës, duket se mbizotërojnë. Një tjetër motiv vrasjeje mbetet ajo e ndonjë konflikti personal. Përveç 19-vjeçarit Tola, në pyetje janë marrë personat e parë që u ndodhën ato momente dhe familjarë të Selimit. Një person nga 25 deri në 35 vjeç ndodhet i ndaluar si autori i dyshuar, teksa të paktën 15 persona të tjerë janë shoqëruar në polici dhe po merren në pyetje.

Historiku i arrestimeve, përgjimet e telefonave

“Kompas”, operacioni që mori

emrin e nofkës të një trafikanti

Hetimi italo-shqiptar në bashkëpunim mes institucioneve Antimafia ka zbardhur 90% të organizatës dhe ka realizuar prangosjen e tyre. Në Shqipëri, operacioni “Kompas” u zhvillua më 23 qershor 2004, kur ranë në pranga gjashtë të dyshuar, ndërsa u shoqëruan më shumë se 20 të tjerë. Të arrestuarit ishin Arjan Selimi (i njohur edhe si Armand Andoni), Petraq Avrami, Blenard Fejzullaj, Mehmet Fejzullaj, Kujtim Beqiri, Fatmir Kuçi dhe Kujtim Popoci. Bërthama elektronike e survejimit ndërkombëtar në Itali ka nisur fillimisht hetimin operativ ndaj një grupi shpërndarësish droge në disa qytete, duke përgjuar të gjitha bisedat e tyre telefonike. Gjatë verifikimit të komunikimeve, hetuesit italianë dëgjuan emra personash dhe qytetesh shqiptare. Të gjitha këto të dhëna bënin fjalë për sasi të konsiderueshme heroine, e cila nisej kryesisht nga porti i Durrësit dhe i Vlorës për në Itali. Atje droga pritej në shumicën e rasteve nga korrierë italianë, të cilët kishin ndërtuar bashkëpunim edhe me disa emigrantë shqiptarë atje. Hetimi mori emrin e kodifikuar “Kompas”, pasi pas kësaj nofke besohet se fshihej njëri prej krerëve të pazbuluar të grupit, i cili gjatë komunikimeve me bashkëpunëtorët, prezantohej me këtë emër. Gjatë një komunikimi në telefon me Agim Popocin, i cili u arrestua në Durrës, trafikanti italian i thotë shqiptarit se kishte dy muaj që ndodhej në përgjim. “Mos e dërgo drogën. Po përgjohem prej dy muajsh. Do të na kapin në momentin e mbërritjes”.

Martesa me Inis Gjonin dhe videoja erotike

“Saga” e Selimit, arrestimi, burgu,

dënimet, greva e urisë dhe lirimi

Arjan Selimi, pas procesit gjyqësor në gjykatën e Krimeve të Rënda, dënohet me 16 vjet. Gjatë periudhës së gjykimit të dosjes në Apel dhe Gjykatën e Lartë Selimi ka zhvilluar disa herë greva urie në burgun 313, duke pretenduar se ishte dënuar pa të drejtë. Gjatë grevave ai u sëmur disa herë. I arrestuari gjatë operacionit “Kompas” pretendonte se nuk është marrë me trafik droge, por Prokuroria ka theksuar se kishte përgjime telefonike që e implikonin atë në këtë krim. Pas debateve për zërin e tij në përgjime, u urdhërua kryerja e ekspertizës së zërit, ku konkluzioni doli se ishte i Arjan Selimit. Pas kësaj ai u dënua me 16 vjet burg, ndërkohë që gjatë kësaj kohe doli në publik dhe një video erotike mes tij dhe show-girlit Inis Gjoni. Procesi pati debate të shumta dhe në apel, ku Selimi pretendonte shumë shkelje procedurale, duke ripërsëritur disa herë grevën e urisë në burgun 313. Edhe pse çështja shkoi në apel, sërish Selimi u dënua, ndërkohë që Gjykata e Lartë ia ktheu çështjen për rigjykim, për shkak se sipas saj vendimi përfundimtar i gjykatave ka lënë gjurmë të dukshme të një mangësie në mënyrën e marrjes së provave, interpretimit të tyre dhe vlerësimit, Selimit i është refuzuar gjykimi i shkurtuar. Zëri i Selimit nuk u provua tërësisht pas ekspertizës dhe se e njëjta gjyqtare, që ka gjykuar procesin për ekstradimin e tij, ka kryesuar trupin gjykues e më pas ka dënuar Selimin. Pasi dosja, u rikthye për rigjykim në shkallën e parë, Arjan Selimi mundi të lirohet nga burgu për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit. Momentalisht ai gjykohej në gjendje të lirë. Selimi bashkëjetonte me Inis Gjonin dhe në momentin e arrestimit ata ishim bashkë në restorant-piceri “Rozafa” duke darkuar në shoqërinë e dy personave të tjerë. Inis Gjoni priste një fëmijë nga Selimi, pasi në prill të këtij viti ata organizuan edhe ceremoninë e martesës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›