E Shtunë, 31 Tetor 2026

A shndërrohen krizat ekonomike në politike?

Rexhep Meidani

Krizat ekonomike mund të shndërrohen në kriza politike. Sidomos kur ato janë të ashpra dhe afatgjata! Por, shumë më lehtë mund të kalohet nga kriza politike në atë ekonomike. Edhe pse ato nuk ndjekin të njëjtën trajektore, ato mund të shoqërohen me përplasje, protesta e demonstrata, me tronditje të thella sociale e psikologjike, me goditje të krenarisë kombëtare, me rihapje plagësh......të vjetra. Madje, në përgjithësi, është vështirë të "modelohet" apo të parashikohet ecuria e tyre. Brenda këtyre tronditjeve, shqetësimeve dhe të papriturave duhet parë dhe ecuria e krizës greke, ku borxhi kombëtar sintetizon të gjithë ato koncepte të dy dekadave të fundit, të shoqëruar me rënien e sistemit komunist dhe ndërtimin e një eurozone me kritere të forta konvergjence. Nga ana tjetër, kjo lloj krize është dhe shprehje apo rezultat i një vaniteti ekonomik, i "shtrirjes së këmbëve jashtë jorganit". është ky lloj "vaniteti", i pa mbështetur plotësisht në të ardhurat kombëtare, që ka lulëzuar deri diku dhe në Islandë dhe Irlandë, ku bumet e prosperitetit dhe të pronës ishin lidhur me një sistem financiar që e favorizonte një proces të tillë. Kurse Greqia shkoi edhe më tej. Aty nuk u mbështetën bankat, por u "favorizua" vetë vendi! Dhe kjo për vite të tëra! Si rrjedhim, me ardhjen në fuqi të Pasok-ut, Qeveria socialiste konstatoi se në vend të 3% të GDP-së apo të vlerës së rishikuar prej 6% të GDP-së, deficiti buxhetor kishte kapur vlerën e gati 13%. Pra, ishin manipuluar vlerat, të dhënat statistikore e grafikët. Dhe për më tepër, paralelisht me këtë deficit buxhetor, edhe borxhi kombëtar ka kapur gati 120% të GDP-së. Natyrisht, në një vend të zhvilluar, në kushte të tjera, një situatë e tillë, edhe pse jo e pëlqyeshme, është e kapërcyeshme. Por, ajo bëhet shqetësuese për atë mendësi, sipas të cilës "të mos paguarit e taksave është një lloj sporti"...
***
Punonjësit grekë, të mbështetur nga disa sindikata, akoma nuk kanë filluar të fajësojnë Qeverinë socialiste. Por, nuk përjashtohet, që kjo të mos vazhdojë gjatë! Për më tepër, të rinjtë grekë, me prirje të majta, janë hedhur në protesta kundër "kapitalizmit global", kurse më të rriturit akuzojnë sistemin politik, vetë politikën si një lloj "oktopodi" korrupsioni, me tentakulat të shtrira në çdo qoshe të shoqërisë. Po ashtu, sipas tyre, për këtë situatë katastrofike nuk është vetëm faji i qeverive greke, por dhe i vetë BE-së. Kjo e fundit, në shumicën e rasteve, ka mbyllur sytë ndaj Greqisë në thyerjen konsistente të rregullave të vendosura. Ajo ofroi mbrojtjen e një monedhe të përbashkët dhe funksionimin e një banke qendrore, pa këmbëngulur për një disiplinë të fortë fiskale; ndoshta dhe duke besuar se aq nevojitej për fuqizimin e euros. Për më tepër, Brukseli e ka toleruar Qeverinë greke që të "flotonte", në mënyrë pak a shumë sistematike gjatë dy dekadave të fundit. Kjo edhe pse, në vitin 1987, BE-ja mori përsipër "bailout"-n e Greqisë, me premtimin "solemn" të Qeverisë greke për realizimin e reformave të rëndësishme ekonomike e strukturore (ende të pa realizuara sot!). E futur në eurozonë, në një situatë tepër të favorshme ekonomike, Greqia bënte sikur po u qëndronte strikt rregullave të kësaj bashkësie (thjesht pa kryer ato reforma të domosdoshme, që sistemi politik grek nuk i gjeneronte dot).
Sikur sot Greqia do të ishte "realisht sovrane" me monedhën e vet, ajo do t'u nënshtrohej tashmë spekulimeve masive "taktike"; por jo aq duke qenë pjesë e eurozonës. Ndërkohë, nuk përjashtohen manipulimet në sigurimin e borxhit kombëtar, krahas një mundësie zhvlerësimi të euros. Në përgjithësi, sipas specialistëve, për zgjidhjen e krizës së borxhit kombëtar nevojiten, të paktën, disa masa konkrete si: zhvlerësimi i monedhës, reduktimi i normave të interesit, "monedhizimi" i borxhit nëpërmjet blerjes së tij nga banka qendrore dhe "bailout"-i pasues. Në eurozonë, në kushtet e një politike monetare të përbashkët, të realizuar nga BQE-ja (Banka Qendrore Evropiane), vetëm "bailout"-i mbetet si operacion i mundshëm. Pra, anëtarësia në eurozonë i bën krejtësisht të pamundura dy operacionet e para dhe pothuajse të tillë edhe masën e tretë. Mbetet, kështu, ose "bailout"-i apo dështimi, falimentimi i plotë!
***
Kriza financiare greke ka shfaqur dhe një problem tjetër bazik: mungesën e një mekanizmi për eurozonën apo BE-në për të realizuar procesin e "bailout"-it, siç nevojitet sot për Greqinë. Apo në mungesë të tij, shfaqja e ndonjë vullneti kolektiv të ministrave të financave për të realizuar diçka të tillë. Pas gati 20 vjetësh "punë bindëse", për plotësimin e rregullave të BE-së dhe eurozonës, situata e sotme po bëhet shqetësuese, deri duke goditur vetë tregjet apo duke e shndërruar eurozonën, të paktën përkohësisht, në një "tigër letre". Si rezultat, edhe bondet e Qeverisë greke nuk mund të pranohen më si koalteral për BQE-në! Dhe jo vetëm kaq. është e mundshme dhe ndonjë "epidemi" në pjesë të tjera të sistemit financiar, p.sh., në Spanjë e Portugali. Ky ishte dhe deklarimi "paralajmërues" i Papandreut në Uashington. Ndërsa, përkundrazi, kreu i FMN-së, Strauss-Kahn, duke komentuar deklaratën e shtrirjes së krizës greke në vende të tjera të eurozonës, thekson për Reuters: "Ju mund të shtoni në listë të gjitha vendet e eurozonës për të trembur njerëzit, por unë nuk besoj se kjo do të ndodhë. Eurozona po merret me problemin e Greqisë dhe s'ka arsye pse të përfshihen aty Portugalia apo Spanja"...
Sidoqoftë, aktualisht, nuk përjashtohet fakti që bondet qeveritare të këtyre vendeve, të shfrytëzuara si kolateral, të rezultojnë jo aq të shëndetshme, duke krijuar kështu perturbime të tjera në eurozonë dhe vetë euron, madje duke provokuar "shkëndijim" të problemit të borxhit të disa vendeve të eurozonës, përfshirë dhe rritjen e normave të interesit të borxheve qeveritare. Por, edhe diçka tjetër. Një gjë e tillë mund të minojë strategjinë e BE-së për menaxhimin e krizave përtej eurozonës. P.sh., Lituania po aplikon sot masa të ashpra për të plotësuar kriteret e eurozonës; Islanda, pas tronditjes së sistemit të saj bankar, po këmbëngul në përshpejtimin e përfshirjes së saj në eurozonë; krahas Malit të Zi e Kosovës edhe Bosnja, po shfrytëzon euron në mënyrë jo zyrtare; kurse ashtu si Turqia edhe Ukraina po ushqen shpresën e anëtarësimit në BE, njëlloj si Shqipëria apo njësitë e mbetura të ish Jugosllavisë. Në fakt, veç Kroacisë, vendet e Ballkanit Perëndimor si: Maqedonia, Shqipëria, Bosnja, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova, duhet të ridimensionojnë planet e veta. Teorikisht, ajo që po ndodh në Evropë, duket sikur i ka zhvendosur disi në kohë shpresat e përshpejtimit të këtij procesi. Në këtë kuptim, përfshirja e vendeve me rrezikshmëri krize në BE apo eurozonë nuk duket aq "entuziaste" si më parë. Sidomos për qytetarët evropianë të ushqyer për dy dekada radhazi, me projektin e qëndrueshëm të euros, që do t'i vendoste ata në epiqendër të stabilitetit dhe prosperitetit botëror.
***
Nisur nga niveli aktual i reagimit popullor në Greqi, duket sikur ekziston një shans minimal në realizimin e masave drastike për reduktimin e deficitit buxhetor dhe zvogëlimin e borxhit kombëtar. Por, pavarësisht, tregjet financiare do ta detyrojnë Greqinë që të ecë me shpejtësi në këtë drejtim. Ndoshta, mund të kërkohet pak kohë që të kuptohet diçka e tillë. Sidomos, duke besuar se Pasok-u do të arrijë të kanalizojë pakënaqësinë dhe të minimizojë zemërimin popullor. Po ashtu, pritet që një pjesë e konsiderueshme e njerëzve ta shohë rolin e Qeverisë greke si instrument zgjidhjeje, nga njëra anë, apo si ekran mbrojtjeje kundër ndikimit negativ të globalizimit dhe tregjeve globale, dhe jo një armik të vetin, nga ana tjetër. Ata pranojnë deri diku reduktimin, por jo për ta tepruar me masa të egra, që mund të provokojnë një "revolucion" të vërtetë...
Në të vërtetë, në këtë vend, kanë mbetur pa përgjigje dhe zgjidhje mjaft probleme të kohës së Luftës së Ftohtë. Kanë mbetur, kështu, të paqarta diferencat midis pozicionimeve eurokomuniste me ato të doktrinave post sovjetike; ato të konceptimit, disiplinimit e normimit demokratik të protestave, manifestimeve e grevave të sotme me ato të periudhës kaotike të pas Luftës së Dytë, kur nuk merrej vesh "i pari me të dytin". "Reminishenca" të tilla nuk janë të pakta: nga pranimi publik i ekzistencës së "elementëve fashistë" brenda radhëve të policisë; në "majtizmin" postsovjetik të përfaqësuar në Parlament, deri në posterat me "drapër e çekan" në rrugët e fshatrat greke...Disa politikanë socialistë, privatisht, pretendojnë se Qeveria e tyre është bërë tashmë një shënjestër e sulmeve spekulative prej menaxherëve amerikanë e evropianë të "hedge fund", ndërkohë që ajo ka përgatitur një plan konkret të shëndetshëm për reduktimin e deficitit. Këtë frikë shpalosi Papandreu para Presidentit Obama dhe kërkoi ndihmën e tij...
Edhe lëvizja sindikaliste e drejtuar nga komunistët nuk e ka pranuar këtë plan të Qeverisë greke, të konsideruar si tepër të ashpër. Por, ajo është e shtrënguar të "mbajë dorën" nga që një pjesë e sindikalistëve votojnë Pasok-un dhe Papandreun, apo të majtën, në përgjithësi. Ata nuk dëshirojnë të krijojnë ndonjë mundësi rikthimi të shpejtë të së djathtës në pushtet. Sidoqoftë, pritet që vetë tregjet, një ndërhyrje e BE-së apo "bailout" i FMN-së do të detyrojnë masa shumë më të ashpra financiare. Aq më tepër që punonjësit në sektorin publik përbëjnë një përqindje të lartë të punësuarve, me një rritje rrogash, më të lartën brenda eurozonës (që nga viti 2006 me afro 30%, krahasuar me mesataren prej 10% për eurozonën). Pikërisht, këta punonjës publikë do të jenë humbësit më të mëdhenj në këtë plan masash shtrënguese. Edhe ngritja e taksave të drejtpërdrejta do të godasë jo pak një kategori të tillë sociale...
***
Bazuar në këtë "frikë", do të ishte mirë që ky plan për "shtrëngim rripi" të konsiderohej si vetëm i Athinës, jo i Brukselit dhe Uashingtonit, për të mos nxitur në Greqi rikonfigurimin e skenareve të dikurshme të Luftës së Ftohtë. (Gjatë Luftës së Dytë gjermanët u përpoqën të menaxhonin ekonominë greke nga Berlini; në dhjetor 1944 britanikët u detyruan të hapin zjarr kundër demonstruesve të Athinës, të udhëhequr nga komunistët dhe përfaqësuesit e rezistencës antifashiste, të çarmatosur më pas; një vit më vonë shpërtheu lufta civile midis komunistëve dhe forcave të qeverisë monarkiste-konservatore, që e ndau Greqinë në dysh!)...
Nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë të ringjallet kjo ndarje qytetare! Aq më tepër që dhe sot fshatrat janë ndarë në të majtë dhe të djathtë, në gati "feude" politike. Po ashtu, bllokimet e rrugëve prej fermerëve, që po paralizojnë veriun e Greqisë, po ushqehen me "parrulla konspiracioni" ndaj ekonomisë greke. Një mosbesim në rritje po kultivohet në drejtim të Brukselit dhe Berlinit. Këtë e ka kuptuar, më së fundi, klasa politike; madje, duke e parë vendin në prag të katastrofës, forcat politike kryesore po e mbështesin planin e Papandreut. Një shqetësim kryesor mbetet administrimi i shpejtë i kësaj situate për të shmangur ato veçori tipike të krizës argjentinase të 8 vjetëve më parë. Për më tepër, ndryshe nga Argjentina, një situatë paralizuese apo ndonjë orientim "revolucionar" majtist në eurozonë do të dëmtonte rëndë kredibilitetin e vetë eurozonës (rregullat e së cilës në Maastriht, përpara se lëshohej monedha evropiane, ishin pikërisht për të mos lejuar një "shkarje" të tillë ideologjike). Ndërkohë që, vite më parë, kjo as mund të shkonte në mend në një Greqi të paqtë dhe prosperuese, me një klasë të mesme të konsoliduar, dhe cilësisht të edukuar...
***
A kanë përgjegjësi arkitektët e eurozonës? Pa dyshim! Ata mbyllën një sy ndaj kufirit jugor të Evropës, duke lejuar aty krahas evazionit fiskal dhe një parajsë taksash të ulëta. Një mënyrë për të kultivuar apo jetuar "ëndrrën" euro, të sipërmarrjes dhe mirëqenies sociale! Ndërsa sot, për ta shpëtuar sado pak këtë "ëndërr" kërkohet një "bailout" urgjent për të shmangur "falimentimin", për të shpëtuar vetë Greqinë dhe ekonominë e saj. Pse jo dhe fqinjët e saj! Veçse, forma e këtij "bailout"-i, kushtet konkrete dhe reaksioni i fortë social mund të jenë mjaft domethënës! Dhe padyshim, brezi i ri do të përjetojë deri diku dhe fundin e kësaj ëndrre virtuale, krahas pagave më të ulëta, një papunësi deri në 25-30%, pensione minimale apo disa vite të njëpasnjëshme të një rritje të dobët ekonomike. Dhe, mbi të gjitha, për Greqinë dhe vendet fqinje me të duhet të evitohen me domosdo faktorë paralizues dhe të paparashikueshëm. Këtë duhet të kuptojë dhe politika shqiptare!...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›