E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëmbehen në shkollë, gjenden 3 vajzat



Tre vajza të mitura, vetëm 13-vjeçare, janë rrëmbyer dy ditë më parë në afërsi të shkollës ku mësonin, në zonën e Xhamllëkut, në Tiranë. Ngjarja ndodhi të enjten, në ora 11:00 në kohën kur vajzat kanë dalë nga shkolla 9-vjeçare dhe po ktheheshin në shtëpi. Persona të paidentifikuar i kanë marrë vajzat dhe më pas me një makinë, besohet se i kanë transportuar në drejtim të Durrësit. Ngjarja është denoncuar menjëherë në polici ndërsa për dy ditë, informacioni ka qarkulluar në qarqe të kufizuara edhe brenda vetë strukturave të Rendit, me qëllim që aksioni për kapjen e rrëmbyesve të vajzave të mbyllej me sukses. Nga burime të rezervuara mësohet se njëra nga vajzat e rrëmbyera është mbesa e një zyrtari të lartë të Policisë së Shtetit. Policia ka nisur hetimin, menjëherë pas marrjes së informacionit për ngjarjen e rëndë edhe pse veprimet e para kanë qenë të vështira nga mungesa e dëshmitarëve. Me anë të veprimeve operative, policia ka rënë në gjurmët e të paktën tre personave që kishin rrëmbyer dhe po i mbanin vajzat. Menjëherë ka filluar ndjekja e autorëve të ngjarjes, të cilët nga informacionet që mbërrinin në polici, lokalizoheshin në qytetin e Durrësit. Grupi i hetimit ka qenë i angazhuar me ngjarjen gjatë gjithë ditës së enjte deri ditën e djeshme pas mesdite, kur agjentët e policisë kanë organizuar aksionin për kapjen e rrëmbyesve. Në rrugë operative ishte marrë informacioni se ata do të lëviznin nga vendqëndrimi i tyre në Durrës, për të shkuar në drejtim të Lezhës, prej nga do të udhëtonin më pas në Shkodër. Destinacioni final i autorëve të ngjarjes, ka qenë Mali i Zi dhe më tej trafikimi i vajzave jashtë vendit.
Arrestimi i rrëmbyesve
Tre personat që kishin rrëmbyer vajzat, duke i mbajtur peng ato për më se 24 orë, ranë në prangat e policisë dje në afërsi të Lezhës. Policia ndaloi automjetin e dyshuar dhe menjëherë vendosi në pranga tre personat. Në makinë, të fshehura, ndodheshin tre vajzat 13-vjeçare, të cilave rrëmbyesit, u kishin prerë flokët dhe u kishin hequr edhe vetullat. Policia tha se me përjashtim të këtyre veprimeve barbare, ndaj vajzave nuk ishte ushtruar dhunë fizikë. Menjëherë pas arrestimit, tre rrëmbyesit bashkë me vajzat e mitura janë transportuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Prindërit e të miturave janë lajmëruar për gjetjen e nxënëseve 13-vjeçare, ndërsa grupi i hetimit ka nisur t’u njoftojë akuzat dhe të marrë në pyetje tre personat e arrestuar. Tre vajzat, shoqe klase mes tyre, janë dërguar menjëherë në seanca trajtimi me psikologë, për shkak të tronditjes psikike që ato kishin pësuar nga momenti i rrëmbimit deri te mbajtja e detyruar larg shtëpisë, prerja e flokëve dhe veprimet tjera të kryera ndaj tyre. Ato pritet të merren në pyetje nga grupi i hetimit, menjëherë sapo psikologët të japin miratimin se gjendja e të miturave është normalizuar. Hetuesit thanë se ka mbetur i paqartë momenti i rrëmbimit të vajzave, nëse ato janë marrë me forcë apo është përdorur ndonjë rreng për t’i gënjyer. Ndërkohë tre të arrestuarit, provohet se kishin biseduar mes tyre duke planifikuar trafikimin e vajzave nga Mali i Zi jashtë vendit, për qëllime kriminale ende të paqarta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›