Nis për Kanada 31-vjeçaren me pasaportën e gruas, kapet në Rinas
TIRANE - Një 35-vjeçar nga Kosova u arrestua nga Policia Kriminale në aeroportin e Rinasit, pasi po tentonte që të kalonte në kufi me qëllim udhëtimin drejt Kanadasë, të një gruaje, së cilës i kishte dhënë pasaportën e bashkëshortes së tij. Policia tha se Albert Berisha është ndaluar teksa shoqëronte drejt terminalit të aeroportit, 31-vjeçaren Afërdita Mehmeti, po nga Kosova. I dyshuari Albert Berisha bashkë me Afërdita Mehmetin, sipas policisë janë afruar në sportelin e kontrollit të aeroportit me një biletë udhëtimi në drejtim të Torontos. Burime nga policia thanë se bashkë me biletën 31-vjeçarja ka paraqitur edhe pasaportën, e cila në fakt ishte e bashkëshortes së personit që e shoqëronte dhe jo e vetë asaj. Të dy personat, janë nisur me këtë pasaportë në drejtim të Kanadasë, duke shpresuar që askush në aeroport nuk do ta vinte re, duke qenë se Afërdita Mehmeti, kishte një ngjashmëri fizike me bashkëshorten e 35-vjeçarit. Por ky detaj nuk i ka shpëtuar sportelisteve të kontrollit, të cilat kanë lajmëruar menjëherë policinë. Plani është kuptuar menjëherë nga oficerët e policisë, të cilët i kanë vënë menjëherë prangat në flagrancë Albert Berishës, për akuzën e “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Ndërsa gruaja që do udhëtonte me pasaportën e një personi tjetër, është shoqëruar në polici dhe është lënë për procedim në gjendje të lirë, me akuzën e tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit. Pas arrestimit të shtetasit nga Kosova, policia tha se ka dërguar për ekspertim pasaportën e përdorur prej tij, me qëllim kalimin e 31-vjeçares në mënyrë të paligjshme drejt Kanadasë. Vetë gruaja, e cila do të udhëtonte jashtë vendit është marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen, nëse nga i arrestuari i është kërkuar pagesë financiare për “shërbimin” apo e gjithë përpjekja e të dyshuarit është bërë në bazë të njohjeve personale mes tyre dhe të afërmve. e.d