Avokati Visha: “Klienti im nuk ka asnjë faj”
Avokati i ish-ministrit Mediu, Ardian Visha, ka deklaruar për mediat se “Fatmir Mediu nuk ka bërë asnjë shkelje në detyrën e ish-ministrit të Mbrojtjes. Deklaruam gjithçka që ish-ministri Mediu di për ngjarjen e Gërdecit. Do të vijohet me procedurat e prokurorisë”, - ka deklaruar për mediat Ardian Visha, përfaqësuesi ligjor i Mediut. Ndërsa arsyen e zgjatjes së këtij procesi pyetjesh, Visha e ka cilësuar si një procedurë normale. Fatmir Mediu akuzohet se nuk ka marrë masa për të shmangur tragjedinë e Gërdecit, duke lejuar shkeljen e rregullave të sigurisë, duke firmosur kontratat me një firmë që nuk plotësonte kushtet në rastin e “Albademil”-it. Edhe caktimi i vendndodhjes së fabrikës së demontimit, që u ngrit një zonë të banuar, ishte në kompetencë të tij. Fatmir Mediu dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Mbrojtjes më datë 17 mars, dy ditë pas tragjedisë së Gërdecit. Ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu, nuk arriti t’i përgjigjej thirrjes së prokurorisë për të dhënë dëshminë e tij mbi këtë ngjarje. Ministri Mediu rezulton të jetë bërë shkak edhe për përfshirjen e emrit të ambasadorit amerikan Uidhers në hetimin që ndërmori Kongresi Amerikan për trafikun e armëve kineze, që transportoheshin nga Shqipëria në Afganistan.
Dosja e Prokurorisë: “Mediu, autori i të gjithë urdhrave”
“Me synim për të krijuar përfitime të padrejta në interes të kompanive private, të përfshira në këtë proces, ka shmangur mbikëqyrjen ushtarake të Forcave të Armatosura në procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, duke miratuar Urdhrin nr. 1800, datë 22.10.2007, me të cilin është normuar kalimi kapital i pronës nr. 126, ku po zhvillohej procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit (ish-brigada e tankeve Gërdec), në administrim të ndërmarrjes ‘MEICO’, e cila e ka vënë atë në dispozicion të kompanisë SAC-ALBADEMIL pa qira, në kundërshtim me Vendimin e KM nr. 315, datë 24.04.2003 ‘Për dhënien me qira të pasurive, të ndërmarrjeve, shoqërive dhe institucioneve shtetërore’. Gjithashtu, synimi se projekti i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve nga kompania ‘SAC’ do të zgjaste dhe se strukturat e ngritura në ish-repartin e tankeve Gërdec, Vorë, do të përdoreshin dhe për programe të tjera në këtë fushë, është evidentuar qartë në Memo-n me subjekt ‘Për kalimin kapital të pronës nr. 126, Gërdec, Vorë’ të drejtuar ish-ministrit Mediu nga ish-drejtori i ‘MEICO’-s nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm. Miratimi i urdhrit të mësipërm në kuadër të këtij konteksti i ka paraprirë miratimit të të gjitha akteve nënligjore dhe procesit vendimmarrës të ish-ministrit, në përmbushje të kërkesës së SAC–ALBADEMIL datë 01.09.2007, të sipërpërmendur”.
11 Shtator 2008