E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjergji Bojaxhi, rivali i Mustafajt për kreun e PD-së së Tiranës

Drejtori i KESH-it, kandidati i PD-së përballë Besnik Mustafajt. PD-ja synon përmirësimin e imazhit me figura të reja

Gergji Bojaxhi, drejtori i Përgjithshëm i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, do të jetë rivali i ish-ministrit të Jashtëm, Besnik Mustafaj, për postin e kryetarit të Partisë Demokratike në Tiranë. Burime të sigurta bënë të ditur për gazetën se emri i Bojaxhiut është ndër më të lakuarit në nivelet e larta drejtuese të Partisë Demokratike. Sipas burimeve, emri i Bojaxhiut është favorizues për faktin se PD-ja është duke u përpjekur të përmirësojë imazhin e saj në elektorat dhe për këtë arsye do të propozojë për poste të rëndësishme drejtuese emra të rinj dhe figura të pakonsumuara në fushën e politikës. Pritet që emri i Bojaxhiut të mos hidhet në tregun mediatik si një kandidaturë e vetëshpallur, por sipas statutit të PD-së, do të ndjekë të gjitha procedurat e propozimit nga baza, do të miratohet nga kryesitë e nëndegëve dhe më pas do të marrë miratimin e kryesisë qendrore. Kohët e fundit për këtë post janë lakuar dhe emrat e Edi Palokës, Saimir Shehrit dhe të Arben Xhikut, por duket se Gjergji Bojaxhi është favorit për karrigen e kreut të PD-së në Tiranë.
Beteja
Duket se beteja midis dy kandidatëve aktualë për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës nuk do të jetë aspak e lehtë. Nga njëra anë ndodhet Besnik Mustafaj, i cili njihet si një figurë me kontribute të hershme në Partinë Demokratike dhe si një politikan karriere. Ai e ka nisur karrierën e tij që në ditët e para të krijimit të Partisë Demokratike, duke qenë së pari pjesë e Lëvizjes së Dhjetorit. Në 17 vitet e pluralizmit, Mustafaj ka qenë në krah të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, në çdo ulje-ngritje, në çdo humbje apo fitore të Partisë Demokratike. Në vitet e para të qeverisjes së PD-së, Mustafaj ka mbajtur postin e ambasadorit të Shqipërisë në Francë. Më pas ai është zgjedhur në dy legjislatura deputet i kësaj partie. Së fundi Mustafaj mbajti postin e ministrit të Punëve të Jashtme, nga i cili dha dorëheqjen rreth një vit më parë. Megjithëse Mustafaj nuk e bëri publike arsyen e vërtetë të dorëheqjes, u bë e qartë se shkak ishte përplasja e tij me kryeministrin Berisha. Madje, vetëm një ditë më parë, Mustafaj bëri të ditur për mediat e nuk është konsultuar me kryetarin e PD-së për të kandiduar për postin e kreut të PD-së së Tiranës. Deklaratë kjo që tregon qartë se marrëdhëniet e Mustafajt me Berishën nuk janë “të shkëlqyera”. Ndërkohë që dihet qartë se vendimi i Berishës, veçanërisht për poste drejtuese në PD, vazhdon të jetë i padiskutueshëm.
Nga ana tjetër, Gjergji Bojaxhi është një figurë e re në fushën e politikës. Ai njihet si ish-zëvendësministër i Energjetikës, ndërkohë që mban postin e drejtorit të Përgjithshëm të KESH-it. Bojaxhi është bashkuar në radhët e PD-së me krijimin e Komitetit të Orientimit të Politikave, ndërkohë që e përfaqëson këtë parti dhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Kryesisht Bojaxhi ka mbajtur funksione menaxhuese jo me natyrë politike. Pra është një figurë e pakonsumuar politikisht dhe pritet të gëzojë mbështetje në radhët e anëtarësisë së PD-së. Por burimet theksojnë se Gjergj Bojaxhi aktualisht gëzon mbështetjen e drejtuesve kryesorë të partisë. Megjithëse flitet për demokraci të brendshme brenda PD-së, dihet tashmë se mbështetja e “parisë” është e domosdoshme në situata të tilla, siç është fushata zgjedhore për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës. Pritet që fundi i shtatorit dhe fillimi i muajit tetor të qartësojë më tej piketat e kësaj fushate, që flitet se do të jetë e ashpër në PD.

Statuti i PD-së
Si zgjidhet kryetari i degës

Neni 27
Kryetari i degës zgjidhet nga mbledhja e përbashkët e kryesive të nëndegëve mes kandidaturave të propozuara nga Kryesia e PDSH-së. Kandidaturat e dala për kryetar të degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga Kryesia qendrore e partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat.
Kryetari i degës përfaqëson anëtarësinë e partisë në territorin përkatës. Ai thërret dhe drejton mbledhjet e Kryesisë, fikson rendin e ditës në bashkëpunim me sekretarin përkatës. Ai organizon funksionimin normal të Kryesisë dhe përgjigjet për zbatimin e vendimeve dhe orientimeve të saj. Ai përgjigjet për mbarëvajtjen e funksionimit të partisë dhe shprehjen lirë të çdo anëtari të Kryesisë. Kryetari i degës është anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë.

11 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›