E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, fajëson gjeneralët



Habjon Hasani

Tiranë – Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është deklaruar dje “i pafajshëm” para dy prej prokurorëve të dosjes “Gërdeci”, ndërsa në procesverbalin e dëshmisë të firmosur edhe prej tij Mediu është deklaruar se përgjegjësia për vendndodhjen e fabrikës shpërthyese është në radhë të parë e Shtabit të Përgjithshëm. Duket se ish-ministri ka përdorur faktin se nga ana e Shtabit të Përgjithshëm ka pasur përgjigje refuzuese vetëm për opsionin e ndërtimit të fabrikës në Bërzhitë, ndërsa përgjigjja dhe qëndrimi i Shtabit për opsionin e Gërdecit nuk ka qenë e artikuluar qartë sikurse në rastin e Bërzhitës. Por ish-ministri është marrë në pyetje në mënyrë të hollësishme për gati 15 projektligje, urdhra dhe udhëzime që ai vetë ka firmosur në lidhje me kontratën dhe ndërtimin e bazës së Gërdecit. Më tej ministri është pyetur hollësisht edhe në lidhje me dimensionin amerikan të çështjes, e cila lidhet me investigimin e gazetës “New York Times” për çështjen e fishekëve. Edhe në këtë rast ish-ministri është zhveshur nga përgjegjësitë, duke u shfaqur tërësisht i pafajshëm para dy prokurorëve. Dëshmia në lidhje me trafikun e fishekëve do t’i transmetohet edhe palës amerikane, e cila po zhvillon ndërkohë një gjyq në Majami, ku i pandehur është dhe Efraim Diveroli, ndër të tjerëve. E njëjta dëshmi mendohet se do t’i vihet në dispozicion edhe Kongresit Amerikan, i cili zhvilloi disa seanca të posaçme në lidhje me trafikun e fishekëve që përfshiu dhe shtetarët shqiptarë.
Hetimi
Burime nga Prokuroria e Përgjithshme kanë siguruar dje “Albania”-n se ende nuk është ezauruar i gjithë interesimi i hetuesve në lidhje me dëshminë e ish-ministrit. Burime nga ky grup kanë informuar se do të ketë të tjera seanca pyetjesh për ish-ministrin në kushtet kur për rreth gjashtë orë e gjysmë janë dhënë shpjegime vetëm në lidhje me një pjesë të dosjes që disponojnë prokurorët. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se prokuroria ka hetuar edhe në lidhje me pasuritë dhe depozitat bankare të ish-ministrit si dhe në lidhje me lëvizjet e tij në disa shtete. Por askush dje nuk konfirmoi nëse Mediu është pyetur edhe në lidhje me këto fakte. Fatmir Mediu ka ndenjur për shtatë orë me radhë në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa ka bërë vetëm një seancë pushimi përreth 30 minutash.
Reagimi
Vetëm tridhjetë minuta para se ministri Mediu të dilte nga Prokuroria, rreth orës 17:06, mes gazetarëve që kishin shtatë orë në pritje u krijua ideja se ministri mund të kishte dalë nga Prokuroria më parë. Disa kontakte telefonike të Mediut duket se e përforcuan një fakt të tillë, por gjithçka u kuptua kur disa hetues të çështjes, të kontaktuar në telefon, sqaruan dhe garantuan se ish-ministri ndodhej në selinë e Prokurorisë dhe se nuk kishte dalë ende, ndonëse vetë Mediu kishte mohuar se ndodhej në ambientet e Prokurorisë. Pas rreth 30 minutash i pari ka dalë avokati mbrojtës i Mediut, Ardian Visha, i cili i ka thirrur gazetarët ta intervistonin, por kërkesa e tij nuk u pranua fillimisht pasi mediat e kushtëzuan prononcimin e tij vetëm pasi të kishin siguruar pamjet e ministrit që dilte nga Prokuroria. Pasi Mediu është filmuar, Visha ka dhënë deklaratën e tij, ku ka bërë të ditur qëndrimin publik të klientit të tij në lidhje me këtë seancë të gjatë pyetëse.

11 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›