E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Kastratit, Apeli i Krimeve të Rënda, dënim maksimal për vëllezërit Rexha

Qamil Rexha dënohet me burg të përjetshëm, 25 vjet për të vëllanë. Bashkëpunëtori Ibrahim Geca do të vuajë 20 vite në qeli

Laureta Rryçi

Tiranë - Vëllezërit Rexha dhe i cilësuari si bashkëpunëtor i tyre, Ibrahim Geca, janë cilësuar sërish fajtorë për vrasjen e Behar Kastratit. Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, pasi është njohur jo vetëm me dosjen e përpiluar nga prokuroria, por edhe me vendimin e Shkallës së Parë, gjykoi ta linte atë në fuqi. Për rrjedhojë, Qamil Rexha u dënua me burgim të përjetshëm. Abedin Rexha me 25 vite burg, ndërsa Ibrahim Geca me 20 vite burg. Zhdukja që përfundoi në vrasjen e mjekut nga Hasi më në fund, sipas gjykatës, ka jo vetëm dy autorë, por edhe bashkëpunëtorë. Megjithatë, që në momentin e arrestimit e deri në ditët e sotme, vëllezërit Rexha nuk e kanë pranuar krimin. Ata kanë dëshmuar në sallën e gjyqit se nuk kishin arsye përse ta vrisnin 40-vjeçarin nga Hasi. Mirëpo alibia e tyre që ishte pas emrit të ministrit Sokol Olldashi ra me dëshminë e tij. Olldashi hodhi poshtë versionin se i ka takuar natën e krimit dy vëllezërit Rexha.
Vendimi
Gjykata dha dje një dënim me “burgim të përjetshëm” dhe 45 vite burg për tre të pandehurit Qamil Rexha, Abedin Rexha dhe Ibrahim Geca, të akuzuar për “rrëmbimin dhe më pas vrasjen” e mjekut Behar Kastrati. Pas ankimimit të të pandehurve, për vendimin e shkallës së parë, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda gjykoi se duhej lënë në fuqi i njëjti vendim. Sipas këtij vendimi u caktua “shpallja fajtorë e të tre të pandehurve dhe dënimi i tyre përkatësisht me “burgim të përjetshëm” për Qamil Rexhën, 25 vite burg për Abedin Rexhën e 20 vite burg për Ibrahim Gecën. Tre të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin e kanë rrëmbyer dhe më pas e kanë vrarë mjekun Behar Kastrati, i cili ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike në Has. Kastrati u rrëmbye mbrëmjen e 7 korrikut të vitit 2005, ndërsa trupi i tij u gjet 40 ditë më vonë në ujërat e liqenit, në afërsi të fshatit Kolsh.
Procesi
Procesi ndaj vëllezërve Rexha dhe Ibrahim Gecit zgjati më shumë se një vit në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda. Që në momentin e arrestimit e deri tani, vëllezërit Rexha nuk e kanë pranuar akuzën duke u shprehur se nuk kishin asnjë motiv për të realizuar një vrasje të tillë. Ndërkohë, procesi ka pasur dhe dëshmitarë ndryshe nga proceset e zakonshme. Në një nga seancat dëshmoi dhe ministri i Transportit, Sokol Olldashi. Ky i fundit u pyet për njohjen që kishte me vëllezërit Rexha dhe nëse ditët që i kishte takuar përkonin me ditën e zhdukjes së mjekut nga Hasi. Në seancat e para kanë dëshmuar edhe dëshmitarë të tjerë, midis tyre edhe të afërm të viktimës.

11 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›