E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjen Platini, Bylisi proteston kundër FSHF-së



Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, do të vijë në Tiranë të martën, por bosin e qeverisë europiane të futbollit në vizitën e tij të pestë në Shqipëri do ta "shoqërojë në distancë”, protesta e drejtuesve dhe tifozëve të Bylisit, në lidhje me gjykimet jokorrekte. Sipas tyre, të paktën në katër raste "xhaketat e zeza"e kanë tepruar me ballshiotët: gjyqtari Aranit Lulaj në ndeshjen Bylis-Besa (2-3), Sokol Çekaj në ndeshjen Vllaznia-Bylis (1-0), gjyqtarin Erion Dobi në ndeshjen Bylis-Tirana (0-0) dhe Lorenc Jemini në ndeshjen Teuta-Bylis (1-0). Sipas asaj që deklaroi sulmuesi i njohur Klevis Dalipi për "Ora sport”, Bylisit i janë mohuar të paktën 5 pikë, që sipas tij do ta çonin skuadrën e presidentit karizmatik Besnik Kapllanaj në kuotën e 14 pikëve, e jo të 9 pikëve që ka aktualisht. "Do të protestojmë përpara selisë së FSHF-së, këtij organizmi që prej kohësh ka injoruar denoncimet që ne dhe klube të tjera kanë bërë ndaj futbollit të pandershëm dhe gjyqtarëve të korruptuar”, - citohet në deklarimin e drejtuesve të klubit. "Nuk është vetëm ndeshja me Teutën, ku ne penalizohemi me pa të drejtë me mohimin e pikëve më se të merituara”, - thuhet në deklaratën e tyre, drejtuesit e Bylisit, të mbështetur fuqishëm nga Bashkia e këtij qyteti dhe shoqata e tifozëve. Mishel Platini do të takohet me ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Ylli Pangon (13:45), në selinë e këtij të fundit, ku priten të diskutohen edhe problemet që ekzistojnë midis qeverisë dhe FSHF-së.

Axhenda e Platinisë

Sot
* Takim me ministrin e TKRS-së, Z. Ylli Pango
* Përurimi i fushës në stadiumin "Niko Dovana"në Durrës
* Takim me Presidentin e Republikës, z. Bamir Topi
* Darkë me krerët e FSHF-së dhe anëtarët e FSHF-së
Të mërkurën
* Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, do të mbajë fjalën hapëse dhe përshëndetëse me rastin e fillimit të Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së, që do të zhvillohet në Tiranë

11 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›