Vllaznia, rekord sezonal, Dhembi shkon gjashtë
Vllaznia vendosi një rekord sezonal në javën e 10-të të Superligës, me fitoren më të thellë që një skuadër ka arritur në transfertë. 1-4 ndaj Lushnjës së trajnerit Vasil Bici, i cili ka përjetuar një nga ndeshjet më të hidhura të tij, përsa i përket performancës së lojtarëve që i drejton pas vetëm 15 ditësh.
Furia shkodrane nisi me shkodranin Elvin Beqiri (11’), vazhdoi me malaziasin Bashiç (27’) e korçarin Paulin Dhembi (31’). Për ish-mesfushorin e Partizanit ky ishte goli i gjashtë sezonal, duke lenë pas vetes 3-herë golashënuesin më të mirë të Shqipërisë, Vioresin Sinani (5 gola këtë sezon). 3-0 qysh në pjesën e parë i ftohu keq lushnjarët, që pësuan golin e katërt dy minuta pas fillimi të pjesës së dytë, një gol i realizuar me penallti nga Suad Lici. Doçi i Vllaznisë u ndëshkua me karton të kuq pas goditjes së një kundërshtari, duke lënë skuadrën e tij me dhjetë lojtarë qysh nga minuta e 55-të. Golin e nderit për Lushnjën e shënoi kapiteni Gentian Çela nga pika e bardhë në minutën e 93-të. Një fitore e bukur në ndeshjen e 85-të historike midis dy ekipeve, 53 fitore Vllaznia, 19 Lushnja. Vllaznia u ngjit në kuotën e 18 pikëve, po aq sa Shkumbini, me të cilin ndan edhe sulmin më të mirë të kampionatit në këto dhjetë javë: nga 15 gola.
Teuta vazhdon të “zbukurohet”
Kush rikthehet në pesë javët e para të kampionatit do të shikonte një Teutë të shëmtuar totalisht në krizë, me vetëm 3 pikë. Por në pesë javët e dyta (6-10), “mbretëresha” durrsake, është “zbukuruar”: 13 pikë (4 fitore e një barazim). Me një trajner dy-herë kampion si Sulejman Starova (me Partizanin e Tiranën), Teuta është një nga skuadrat më në formë të kampionatit. Dhe këtë e dëshmoi edhe kundër një Bylisi, që nën “patronazhin” e Hysën Dedjes (një tjetër trajner kampion), mori tri pikë të tjera të arta e që e mbajnë fort në mesin e artë të tabelës, dukshëm e shkëputur nga vendet 7-12. Teuta fitoi me rezultatin e ngushtë 1-0, falë golit të realizuar me penallti nga Emiljano Vila (73’), pas faullit të ballshiotëve ndaj sulmuesit Vangjel Mile, teksa një minutë më parë ishte largua me karton të kuq kapiteni i Bylisit, Johan Driza.
9 Nentor 2008