Reagon Brukseli, shqetësim për homofobinë në Lezhë
TIRANË - Bashkimi Europian shpreh shqetësim për rastet e homofobisë në qytetin e Lezhës, të ndodhura pas deklaratës së Klodian Celës, i cili pohoi në televizion homoseksualitetin e tij. Përmes një deklarate për mediat, Brukseli zyrtar rikujton traktatet për të drejtat e njeriut duke theksuar se respektimi i të drejtave të njeriut dhe trajtimi i barabartë janë ndër kushtet thelbësore për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. “Bashkimi Europian shpreh shqetësimin e tij për rastet e fundit të homofobisë dhe diskriminimit bazuar në orientimin seksual. Ngjarjet në Lezhë, si dhe debati publik bënë që BE-ja të rikujtojë se traktatet e BE-së ndalojnë çdo lloj diskriminimi bazuar në orientimin seksual dhe se parimet e trajtimit të barabartë dhe fuqizimi i grave janë vlera themelore të BE-së. Implementimi efektiv i këtyre vlerave në Shqipëri është thelbësor për realizimin e perspektivës së saj europiane, ashtu siç deklarohet në Raportin e Progresit të Komisionit të BE-së për Shqipërinë”, - theksohet në deklaratën e BE-së.
Menjëherë pas deklaratës së Klodian Çelës, i cili pohoi homoseksualitetin e tij në një reality show, të rinj lezhjanë protestuan për disa ditë me radhë duke kërkuar daljen e Klodit nga spektakli televiziv e duke përsëritur thirrje raciste ndaj homoseksualizmit. Thirrjet raciste kanë shkuar deri në atë pikë sa protestuesit kanë mohuar madje dhe origjinën e Klodit me arsyetimin se djemtë e Lezhës apo shqiptarët nuk kanë të tillë moral. Presioni i vazhdueshëm i qytetarëve të Lezhës e bëri të pamundur jetesën e familjes së Klodit në qytet.
15 Prill 2010