Avokati i Barcelonës qe riktheu tifozët në “Qemal Stafa”

Avokati i njohur shqiptaro-austriak, Skënder Fani, është "violina" kryesore që bëri të mundur të konvertojë pezullimin me një ndeshje të Kombëtares sonë nga Komisioni i Disiplinës, pas incidenteve me Holandën me një gjobë financiare. 66-vjecari Fani është një nga emrat e njohur në Austri dhe një figurë e fuqishme e botës sportive. Shqiptari është këshilltar personal i presidentëve të disa prej klubeve më të mëdha të Europës, përfshirë Barcelonën në Spanjë, Romën në Itali, Salzburgun në Austri. Prej 20 vjetësh ai përfaqëson disa nga emrat më të mëdhenj të sportit në Europë dhe është kryetari i bordit të Sports Management Corporation në Gjermani dhe Austri, por edhe i disa kompanive të mëdha austriake në fushën e sigurimeve.
Doktor Fani, sic njihet gjerësisht, i specializuar në ligjshmërinë sportive dhe asistencën juridike të nevojshme, cka ndihmoi edhe presidentin Duka të merrte edhe miratimin e Komisionit të Apelit pranë UEFA-s për të zhvilluar ndeshjen kundër Bjellorusisë me shikues. Avokati me origjinë shkodrane gjithmonë ka dhënë kontributin e tij në ndihmë të FSHF-së, kur dy vite më parë ia doli që falë influencës së tij në UEFA, skuadra jonë të zhvillonte jo dy – ato kundër Gjeorgjisë dhe Kazakistanit - por një ndeshje, vetëm atë kundër Gjeorgjisë, ku Shqipëria, atëherë e drejtuar nga Brigeli, fitoi 3-2 (dy gola të Tares dhe një i Skelës). Fani është edhe menaxheri i disa lojtarëve të njohur në Europë si austriaku Roland Linc, i cili luan në Portugali me Sportingun, boshnjaku Sasa Papac te Austria e Vjenës. Skënderi është i pasionuar pas talenteve të rejs, ku shpeshherë ka gjetur edhe klube për të në Europë.
Precedenti
Në Komisionin e Apelit në FIFA, më 18 mars 2005, u shqyrtua rasti apelimit nga Federata Shqiptare e Futbollit mbi vendimin e Komisionit te Disiplinës për dënimin e dy ndeshjeve të radhës që do të zhvilloheshin pa tifozë, si dhe gjoba prej 37 mijë frangash. Në atë proces, vec avokatit që mbrojti FSHF-në, zotit Skënder Fani, një figurë shumë e njohur në ambientet sportive në Austri dhe Zvicër, ishte i pranishëm edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Gjatë seancës së apelimit u përdorën pamjet filmike për uljen e dënimit të Komisionit të Disiplinës. Ekipi kombëtar luajti më pas vetëm një ndeshje pa tifozerinë, atë me Gjeorgjinë, më 4 qershor 2005, ndërsa FSHF-ja pagoi një gjobë 20 000 franga.
Baric
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Oto Baric, ka shpjeguar sesi nisi aventura e tij me Kombëtaren tonë. Ai thotë se më parë vendosi kontakte me presidentin e Federatës Shqiptare, përmes disa njerëzve me influencë, këtu në Austri, para së gjithash, përmes avokatit Skënder Fani. Më pas atij i ishin dorëzuar dhjetë videokaseta të këtyre kualifikimeve të fundit. "Unë i pashë, i analizova të gjitha dhe fitova përshtypjen se fjala është për një ekip të mirë që në Europë mund të arrijë më shumë se deri tani".