Krizë Duka-Bariç?

Gjithmonë edhe më shumë dyshime po krijohen në lidhje me fatin e Oto Baricit në krye të Kombëtares shqiptare edhe për dy sezonet e ardhshme. Pas përgjigjeve të ftohta dhe aspak bindëse të dhëna nga trajneri kroat gjatë konferencës për shtyp, nervozizmit të fshehur të ndihmësve të tij të huaj, Baric, është duke shijuar edhe një mënjanim të paktën publik nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, njëherësh edhe njeriu që gëzon të drejtën ekskluzive për zgjedhjen dhe emërimin e trajnerit të Kombëtares. Bosi i FSHF-së është takuar dje lojtarët në rezidencën e tyre ne hotel "Adriatik" në Durrës dhe ka biseduar përzemërsisht me ta për gati një orë e gjysmë, duke shkëmbyer edhe batuta me lojtarë të vecantë. Natyrisht, që Duka nuk i është shmangur aspak takimit edhe me trajnerin e përfaqësueses, por ka folur me të në mes të lojtarëve dhe sipas burimeve të "Albania-sport" nuk ka pasur asnjë bisedim të karakterit "kokë me kokë'. Në fakt, gjithmonë është folur se kroati do ta firmoste kontratën përpara ndeshjes me Bjellorusinë, por ditët deri të shtunën (17 nëntor) janë pakësuar dhe nuk do të ishte cudi, që Baric të shkonte në shortin e Botërorit 2010 ende pa të zezën (firmën) mbi të bardhë (kontratën).