E Diel, 1 Nëntor 2026

Përse kundër Bjellorusisë kuqezinjtë luajnë një sezon të tërë?

Andi Nuraj

Përse përballja me Bjellorusinë është takimi më i rëndësishëm i sezonit dhe rezultati që kërkohet është vetëm fitore, pasi kuqezinjtë jo vetëm që cimentojnë vendin e katërt në grup por nuk dihen surprizat që mund të dhurojnë kundërshtarët e tjerë në këtë fund eliminatoresh. Në kampin kundërshtar gjerat kanë ndryshuar mjaft për bjellorusët, të cilët nuk kanë asgjë për të humbur në "Qemal Stafa", ndërkohë që trajneri i ri Bernd Shtange ka deklaruar se është koha për të ndërtuar një skuadër të re. Mosmarrëveshjet në ekip sipas numrit një të bankinës bjelloruse kanë marrë fund ndërkohë që depresioni i muajit të kaluar ja ka lënë vendin eksperimentimeve për të zbuluar lojtarët që kanë dëshirë për të dhënë sa më shumë për fanellën e Kombëtares. Kështu që presioni do të jetë vetëm për kuqezinjtë, të cilët kërkojnë medoemos tre pikë.
Në rast të një barazimi cdo gjë vështirësohet për Kombëtaren e Baricit i cili nuk pritet të gjejë një terren miqësore në Bukuresht. Rumunët udhëtojnë të shtunën drejt Sofjes kundër rivalëve historikë, Bullgarisë. Megjithëse janë të kualifikuar skuadrës së Picurkës iu duhet patjetër fitorja për të pasur kundërshtarë më të lehtë në të dy shortet: atë të Botërorit dhe finaleve të Europianit. Në rast humbje dhe kjo duket dhe nga deklaratat e futbollistëve, të cilët e shikojnë ndeshjen e Sofjes mjaft të vështirë për tu fituar, pasi nuk kanë përqendrimin e duhur, Rumanisë nuk i mjafton vetëm një pikë kundër Shqipërisë. Në "Lia Manoliu" - ndeshja e fundit ndërkombëtare ne ketë stadium - pritet të jetë një numër i madh tifozësh kjo dhe nga politika e federatës rumune te futbollit, e cila ka ulur jo vetëm cmimet e biletave ku tribuna qendrore është 1700 lekë të reja, por disa nga sektorët i ka lënë falas për të rinjtë dhe pensionistët.
Nga ana tjetër, Bullgaria kërkon ti rikthehet viteve te arta pikërisht me një fitore ndaj rivaleve të tyre të vjetër. Gjithsesi, shumë larg vendit të dytë bullgaret nuk mund të shpresojnë që Holanda të marrë vetëm një pikë në dy ndeshjet e fundit kundër Luksemburgut dhe Bjellorusisë. Për këtë arsye nëse ndeshja në Sofje ka vlera të vecanta nuk mund të thuhet për ndeshjen tjetër katër ditë më vonë kundër slloveneve. "Nuk më intereson", - deklaroi trajneri slloven, Matjazh Kek, - nëse Bullgaria vazhdon të shpresojë për vendin e dytë. Kërkoj vetëm një lojë të mirë të skuadrës sime dhe dua ta mbyll këtë fushatë me fitore". Nëse cdo gjë do të shkojë sipas këtyre parashikimeve atëherë për kuqezinjtë është një tjetër sezon i humbur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›