Gellner me teoritë e kombeve në shqip
Një nga librat më të famshëm mbi teorinë e kombeve dhe nacionalizmave me autor Ernest Gellner dhe që ka ngjallur mjaft debat, përkthehet në Prishtinë prej një grupi të rinjsh. Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), pasi ka fituar të drejtën autoriale për përkthimin e librit të njohur “Nations and Nationalism” të autorit Ernest Gellnerit, ka mbajtur një debat ku ishin të pranishëm profesorë, njohës të kësaj fushe dhe studentë.
Njëri ndër panelistët e debatit, Mentor Agani, njëherësh përkthyes i librit, të premten tha se nisma e të rinjve për përkthimin e tekstit nga fusha e teorisë së kombeve ka qenë një sfidë. Ai tha se mënyra se si e kuptojmë kombin dhe mënyra se çfarë kombi është, janë dy gjëra të cilat janë të ndryshme dhe pikërisht teoria e kombit të nacionalizmit përpiqet ta tregojë këtë proces të kombit.
Duke u ndalur te shkaqet pse kombi në kategorinë shoqërore është studiuar kaq vonë, Agani tha se një prej shkaqeve është se ne jemi tepër të rrënjosur në kombet tona të veçanta që të kemi mundësi ta kuptojmë se çka është kombi si i tillë.
Agani më pas u ndal te studimi i kombit të veçantë për ta kuptuar se çka është kombi si definicion, duke sqaruar edhe pyetjen se çka me të vërtetë e portretizon kombin. Ai tha se përpjekja për të dhënë këtë dhe shumë pyetje të tjera rreth kombit, është ajo e cila shfaqet në teoritë e kombeve. Ndërkaq, ligjëruesja e departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Nita Luci, tha se është e vërtetë që ka shumë masa disiplinore, të cilat tentojnë të na tregojnë që nacionalizmi dhe të drejtat e njeriut nuk shkojnë bashkë.
Libri do të publikohet në fund të janarit 2009.