E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset në flakë ; Pas 5 ditësh, sërish një fabrikë e djegur

Pas pesë ditësh, sërish një fabrikë e përfshirë nga flakët në autostradën Tiranë-Durrës. Si pasojë, godina ku ndodhej firma “Ardeno”, e cila merret me prodhimin e karrigeve dhe tavolinave u shkrumbua tërësisht nga flakët. Mendohet se dëmet shkojnë në qindra-milionë lekë. Ndërhyrja në kohë e forcave zjarrfikëse bëri që të shmangej një tragjedi më e madhe, pasi ngjitur me ndërtesën trekatëshe në flakë ishin dy depozita të mëdha gazi, si dhe nënstacioni elektrik. Nga flakët e mëdha rrezikoheshin edhe bizneset e tjera, të cilat ndodhen të përqendruara në autostradën Tiranë–Durrës. U deshën shtatë orë që flakët të arrinin që të lokalizoheshin, por ato sërish ishin nën kujdesin e zjarrfikësve edhe për disa kohë, derisa flakët u arritën që të shuheshin. Të angazhuar në këtë operacion për shuarjen e flakëve ishin rreth 150 forca zjarrfikësesh.

Banorët e banesave pranë kompanisë në flakë kanë qenë në gjumë në momentin kur flakët e fuqishme kanë përfshirë repartin e përpunimit të drurit. Në panik ata kanë lajmëruar njëri-tjetrin për rrezikun, duke bërë të mundur dhe evakuimin e shpejtë të zonës. Mjaft banorë nuk janë larguar nga banesat e tyre, por kanë ndihmuar zjarrfikësit për të shuar flakët. Zjarri përfshiu një sipërfaqe prej 3 hektarësh dhe rrezikoi përhapjen edhe në bizneset e tjera. Sipas dëshmitarëve, flakët u panë në katin e tretë të godinës trekatëshe të firmës, në të cilën ndodhej dhe lokali i firmës. Brenda 30 minutave flakët përfshinë gjithë godinën trekatëshe. Policia ka ngritur një grup hetimi, për të hetuar shkaqet e nisjes së këtij zjarri.

Dyshimet e para bien mbi një shkarkesë elektrike që mund të ketë ndodhur. Grupi hetimor ka nisur nga mbledhja e provave për të vërtetuar shkencërisht se cili ka qenë shkaku i flakëve që rrezikuan banesat dhe godinat e kompanive të tjera private në atë zonë.

Ngjarja

Rreth orës 03:00 të mëngjesit, në ambientet e firmës "Ardeno”, që merret me prodhimin bojërave për lyerjen e karrigeve dhe tavolinave janë parë flakë të mëdha, të cilat po digjnin ndërtesën. Sipas policisë, ato kanë filluar në katin e tretë në lokalin e kësaj firme. Në vetëm 30 minuta, flakët janë përhapur plotësisht në të gjithë ndërtesën trekatëshe. Flakët kanë rrezikuar disa banesa të zonës, të cilat ndaheshin nga kompania vetëm nga muri ndarës. Policia ka bërë të mundur evakuimin e të gjithë banorëve, ndërsa zjarrfikësit po punojnë me përgjegjshmërinë maksimale që flakët të mbahen të izoluara dhe të mos përhapen jashtë ambienteve të kompanisë “Ardeno”. Në vendngjarje kanë shkuar forca zjarrfikëse nga Tirana, Durrësi e Kavaja, të cilat kanë filluar nga puna për shuarjen e zjarrit. Në godinën e firmës ishin rreth 150 zjarrfikës që luftonin me flakët. Rrezik të madh sillnin edhe dy depozita gazi, të cilat ndodheshin aty pranë, që nëse përfshiheshin nga flakët, mund të shkaktonin një katastrofë të vërtetë. Por ndërhyrja e zjarrfikësve bëri që të shmangej rreziku nga depozitat, por edhe nga nënstacioni elektrik që ndodhej afër, si dhe bizneset e tjera. Zjarri është shuar plotësisht rreth orës 10 e 30 të ditës së djeshme. Zjarrfikësit kanë qëndruar edhe për disa kohë në vendngjarje, për t’u siguruar se flakët nuk do të ishin burim rreziku për depozitat e gazit si dhe ndërtesat përreth.

Rreziku nga depozitat e gazit

Flakët në kabinetet e ndërtesës trekatëshe u shndërruan në burim rreziku për bizneset dhe banorët e zonës. Afër me fabrikën ishin edhe depozitat e gazit të kompanisë “Sofi Gaz”, që ndaheshin vetëm me një mur ndarës nga ambientet e kompanisë “Ardeno”. Nëse flakët do të shtoheshin, atëherë edhe dy depozitat do të përfshiheshin nga flakët, duke bërë kështu që e gjitha zona të rrezikohej nga katastrofa. Në një situatë të tillë, u evakuuan banorët nga ana e policisë, për të shmangur ndonjë shpërthim të mundshëm. Gjithashtu, në zonën pranë depozitave të gazit ishte përqendruar edhe puna e forcave zjarrfikëse. Afër me flakët ishte edhe nënstacioni elektrik, por edhe biznese të tjera, të cilat rrezikoheshin nga momenti në moment të përfshiheshin nga flakët. Por angazhimi i zjarrfikësve bëri që të shmangej shtimi i problemeve të mëtejshme.

Ngjarja tek "Henri" sh.p.k.

Magazina e firmës “Henri” sh.p.k. ka filluar që të marrë flakë rreth orës 13:00 në datën 1 dhjetor. Flakët kanë filluar të përhapen me shpejtësi, duke rrezikuar jetën e punëtorëve që ndodheshin aty. Në ndërtesë ishin rreth 20 persona. Menjëherë janë njoftuar zjarrfikësit, të cilët kanë mbërritur në vendngjarje. Ata kanë evakuuar personat e ndodhur në ndërtesë dhe kanë nisur nga puna për shuarjen e flakëve. Në vendngjarje shkuan katër makina zjarrfikëse, të cilat nisën nga puna për shuarjen e flakëve. Flakët filluan që të përhapen edhe më, kjo nisur edhe nga fakti se materialet brenda në magazinë merrnin flakë shpejt. Duke parë përkeqësimin e situatës, policia bllokoi lëvizjen e makinave në autostradë. U kërkua ndihma e mjeteve të tjera zjarrfikëse, të cilat erdhën nga Durrësi dhe Kruja. Numri i tyre në vendngjarje shkoi në nëntë. Rreth orës 16:00, gjendja vazhdonte të ishte e vështirë, pasi flakët rrezikonin ndërtesat e tjera, si dhe stacionin elektrik të Kasharit. Nisur nga kjo, u ndërpre energjia elektrike në të gjithë zonën, për të shmangur një përkeqësim të situatës. Pas djegies së magazinës, flakët kanë përfshirë dhe një tjetër ndërtesë ngjitur. Pas disa orësh “luftë” me flakët, zjarrfikësit kanë arritur që të lokalizojnë flakët dhe të arrijnë që t’i shuajnë ato.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›