Avokati i “Ben Qimes” letër ambasadës angleze
TIRANE – Mbrojtja e Arben Isufajt, biznesmenit fierak të arrestuar për një vrasje të vitit 2002, pohoi pak ditë më parë se i është drejtuar përfaqësisë diplomatike angleze në Tiranë për të sqaruar zyrtarisht problemin e mbërritjes në Shqipëri të disa ekspertizave të njëjta, por me data të ndryshme, për shkak të të cilave ai mbahet në qeli. Sipas mbrojtjes së Isufaj, më datë 12 qershor të këtij viti, vetëm pak ditë pas arrestimit të biznesmenit Isufaj, i cili njihet edhe si “Ben Qimja”, organi i akuzës depozitoi në Gjykatën e Apelit një ekspertizë të mbërritur nga një laborator kriminalistike në Londër, ku thuhej se gjurma e gishtit e ekspertuar i përkiste të arrestuarit Isufaj. Por ndryshe nga kjo, po organi i akuzës pohoi në proces se kërkesa për të ekspertuar gjurmën papilare ishte nisur nga Tirana më datë 16 qershor. Kjo ka bërë që të lindë dyshimi për falsifikimin e ekspertizës, duke detyruar mbrojtjen t’i kërkojë laboratorit që pohohet se ka kryer ekspertizën, zyrtarisht nëpërmjet ambasadës sqarime për procedurat e ndjekura, si dhe sqarimin e faktit nëse është lëshuar apo jo dokumenti nga ky institucion. Dyshimi për falsifikim sipas mbrojtjes vërtetohet nga fakti abstrakt, se nuk ka mundësi që përgjigjja të mbërrijë përpara se të bëhet kërkesa, për më tepër që distanca kohore midis dy dokumenteve që mbajnë në qeli Isufajn është katër ditë. Aktualisht, Isufaj ndodhet i paraburgosur në qelitë e burgut 313 në kryeqytet në pritje të përfundimit të hetimeve, ndërkohë masa e sigurisë në ngarkim të tij ka marrë formë të prerë, pasi Apeli i kryeqytetit la në fuqi atë çka kishte vendosur më parë Gjykata e Tiranës, vetëm pak ditë pasi Gjykata e Lartë kishte hequr masën e sigurisë ndaj biznesmenit. Tashmë pritet që të Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë të shqyrtojë kërkesën e paraqitur nga i arrestuari dhe mbrojtja e tij për heqje të masës së sigurisë. fa.ma.