E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, ankesat për pikët deri në 1 shtator

 

ZIRINA LLAMBRO

Përfundon llogaritja zyrtare e pikëve të nevojshme për t’u pranuar në universitet. Libri i transparencës që përmban të dhënat për çdo kandidat, u tërhoq dje nga Drejtoritë dhe zyrat Arsimore në të gjithë vendin. Brenda dy ditëve të dhënat do të afishohen në shkolla. “Pas takimit të zhvilluar në MASH, për secilin rreth, drejtorët rajonalë morën në formë elektronike Librin e Transparencës për Maturën Shtetërore 2008”, bëri me dije ministria. Sipas këtij dikasteri, maturantët duhet të interesohen në shkolla për pikët që kanë grumbulluar për çdo degë. Nëse kanë ankesa për këtë procedurë, afati për të depozituar ankesat është data 1 shtator. “Maturantët-kandidatë për në institucionet publike të Arsimit të Lartë, nëse do të vërejnë pasaktësi në llogaritjen e bërë në mesataren e shkollës së mesme, gabime tek emri, mbiemri, atësia e kandidatit etj., duhet të plotësojnë një Formular të Korrigjimit të Pasaktësive, të cilin mund ta tërheqin në shkollën përkatëse. Çdo DAR/ZA do të pranojë këta formularë të plotësuar sipas udhëzimit përkatës deri më datë 1 shtator 2008”, thuhet në deklaratën e MASH-it. Formulari depozitohet në shkollë, dhe shkolla ia dërgon Drejtorisë Arsimore përkatëse. Kjo e fundit ia dërgon Agjencisë Kombëtare të Pranimeve në institucionet e arsimit të lartë (APRIAL). “Pasi të bëhen të gjitha verifikimet dhe të përcillen pasaktësitë e mundshme, MASH do të nxjerrë, në përputhje me udhëzimet përkatëse, renditjet e maturantëve për në shkollat e larta”, sqaron MASH.
Libri i transparencës
Ka formën e një regjistri kombëtar dhe përmban të renditur sipas rrethit dhe shkollës, të gjithë kandidatët për në institucionet publike të Arsimit të Lartë. Në këtë libër janë paraqitur katër notat e përshkallëzuara të 4 provimeve të Maturës Shtetërore, mesatarja e shkollës së mesme dhe rezultatet e kalkuluar me koeficientët përkatës të çdo kandidati, për secilën nga 10 preferencat. Çdo kandidat për shkollë të lartë duhet të ketë bërë tashmë llogaritjet e pikëve të grumbulluara nga ai për secilën nga 10 preferencat e përzgjedhura. (Llogaritja e pikëve shpjegohet edhe në Guidën e Maturës Shtetërore 2008). Këtë llogaritje ka bërë edhe Agjencia Kombëtare e Pranimeve në institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL) dhe i ka botuar në Librin e Transparencës. Maturanti-kandidat, në bazë të të dhënave të afishuara në shkollën e tij duhet të bëjë krahasimin dhe, nëse verifikon një mospërputhje të të dhënave personale dhe të pikëve të llogaritura nga ai, krahasuar me të dhënat e librit, duhet të plotësojë Formularin e Korrigjimit të Pasaktësive.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›