E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrata për tritolin e Durrës-Kukës,“Nitromak” padi Ministrisë së Mbrojtjes

 

TIRANE – Kompania “Nitromak” do vazhdojë të shfrytëzojë ambientet e repartit ushtarak të Borizanës së Krujës, për të magazinuar tritolin e importit, që përdoret për ndërtimin e rrugës Durrës – Kukës. Kjo ishte kërkesa e firmës turke, depozituar dy ditë më parë në Gjykatën e Tiranës, kundër Ministrisë së Mbrojtjes, ku pretendohej se prishja e kontratës me “Nitromak” ishte bërë në një moment të pafavorshëm. Firma që furnizon me tritol ndërtuesit e rrugës Durrës–Kukës, iu drejtua Gjykatës së Tiranës ku kërkoi sigurimin e padisë, në ngarkim të Ministrisë së Mbrojtjes, ose e thënë ndryshe të vazhdojë të shfrytëzojë ambientet e repartit ushtarak të Borizanit të Krujës për magazinimin e tritolit të importuar. “Nitromak” ka nënshkruar në janar të këtij viti një kontratë për shfrytëzimin e një magazine 200 metër katrorë në repartin e Borizanës, për të magazinuar tritolin kundrejt një qiraje të caktuar. Por, arrestimi i katër personave të akuzuar për përfshirje në afera korruptive, përsa i përket dhënies së licencës kësaj firme, si dhe favorizimi për qira të ulët, bëri që më datë 12 gusht Ministria e Mbrojtjes të prishte kontratën me firmën “Nitromak”. Pasi ka kaluar të gjitha procedurat administrative dhe ka dështuar në rikthimin e marrëveshjes, firma i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, ku fillimisht kërkoi sigurimin e padisë, derisa çështja të zgjidhet në një proces gjyqësor, që pritet të nisë në majin shtator, pas rikthimit të togave të zeza nga pushimet verore.        fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›