E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza thellohet, Rusia pezullon paktet ushtarake me NATO-n

Rusia ka pezulluar çdo marrëdhënie ushtarake me NATO-n, ndërkohë që kriza në Gjeorgji, me gjithë premtimet për tërheqjen e trupave duket se po thellohet. 

NATO ka konfirmuar se është informuar nga Rusia se po pezullonte të gjithë bashkëpunimin ushtarak. “Rusia na ka informuar ne përmes kanaleve ushtarake, se ministri i Mbrojtjes së Federatës ruse ka marrë një vendim për të ndaluar aktivitetet e bashkëpunimit ndërkombëtar ushtarak mes Rusisë dhe vendeve të NATO-s deri në një urdhër tjetër”, tha zëdhënësja e NATO-s, Karmen Romero. Ushtria ruse deklaroi veç kësaj, se trupat paqeruajtëse gjeorgjiane nuk kishin të drejtë të patrullonin zonën e sigurisë rreth Osetisë së Jugut, por ushtarët rusë do të mbeten në zonën, që shtrihet rreth 7 km brenda Gjeorgjisë. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se, Rusia synon të mbajë 500 ushtarë në një “zonë të sigurisë” përreth rajonit separatist të Gjeorgjisë, Osetisë Jugore. Lavrov u tha gazetarëve se Rusia të premten do të vendosë “8 postblloqe në zonën e sigurisë në të cilën do të dislokohen 500 paqeruajtës”. Ai tha pjesa e mbetur e trupave ruse, që u futën brenda Gjeorgjisë gjatë luftimeve të mëhershme do të rivendosen në Osetinë Jugore ose në Rusi. Me gjithë ndërhyrjet e perëndimit, Rusia këmbëngul se po respekton çfarë është shkruar në letër në marrëveshjen me Gjeorgjinë. Ndërsa presidenti rus, Dimitri Medvedev ka premtuar edhe dje se tërheqja e trupave do të përfundojë të premten, situata në terren jep shenja krejt të ndryshme. Sipas “Associated Press”, dje trupat ruse kanë marrë nën kontroll qytetin port, Poti, nga i cili kishin deklaruar tërheqjen që tri ditë më parë. Ndërsa raketa, tanke e ushtarë rus kanë nisur tërheqjen nga territori i Gjeorgjisë, ana tjetër e medaljes vazhdon funksionin e plotë. Shumë qytete gjeorgjiane janë nën kontrollin e rusëve, deri në 30 km larg kryeqytetit. Siç ka komentuar presidenti gjeorgjian Mikheil Sakashvili, çdo lëvizje që kryhet nga rusët bëhet sa për të treguar se “Ne po lëvizim”, por në fakt tërheqje reale nuk ka. Kontrollin e trupave ruse e ka vërtetuar edhe një incident që ka ndodhur me ambasadorin francez në Gjeorgji, i cili është mbajtur 3 orë në postbllokun e trupave ruse, ndërsa kalonte në qytetin Gori. Ky veprim është vlerësuar si i papranueshëm nga Franca. Ndërkohë organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch”, i ka bërë thirrje Rusisë që urgjentisht t’i pastrojë bombat e pashpërthyera ruse në brendësi të territorit të Gjeorgjisë, sidomos bombat thërrmuese. Rusia ka mohuar të ketë përdorur bomba thërrmuese, por HRW thotë se një numër njerëzish kanë humbur jetën prej këtyre bombave.

Separatistët kërkojnë njohje nga Rusia

Rreth 48 mijë njerëz u mblodhën në kryeqytetin e Abkhazisë, Sukhumi, për të kërkuar pavarësinë e tyre nga Gjeorgjia.  Demonstruesit në kryeqytetin e Abkhazisë kanë bërë thirrje për njohjen e tyre nga Rusia. Kryebashkiaku i Sukhumit, tha se rreth 48 mijë njerëz kanë marrë pjesë në tubimin e organizuar nga krerët separatistë të rajonit, por ky pohim nuk është konfirmuar nga burime të pavarura. Të mërkurën, parlamenti abkhaz votoi që t’i kërkojë Rusisë ta njohë këtë rajon si shtet i pavarur. Presidenti i Abkhazisë, Sergei Bagapsh, tha se i ka dërguar autoriteteve ruse një dokument-kërkesë për njohjen e pavarësisë së tyre. Duma ruse do të zhvillojë një seancë emergjence të hënën, ku pritet të miratojë këtë kërkesë, hyrja në fuqi e të cilës mbetet në firmën e Presidentit rus, Dimitri Medvedev. Në Osetinë Jugore, lideri separatist, Eduard Kokoity tha se, po përgatit kërkesë të ngjashme për Presidentin rus Dimitri Medvedev.

Siria mbështet Rusinë

Lideri sirian, Bashar al-Assad mbështeti dje gjatë takimit në Siri veprimin ushtarak të Rusisë kundër Gjeorgjisë, gjatë bisedimeve me Presidentin Dimitri Medvedev. “Mendojmë se Rusia iu përgjigj provokimit gjeorgjian”, deklaroi presidenti sirian. Një burim diplomatik në Moskë deklaroi dje, për agjencinë “Interfax” se Rusia dhe Siria po përgatisnin disa marrëveshje, që përfshinin shitjen e sistemeve të raketave kundërajrore dhe kundërtank.

Erdogan, thirrje për stabilitet
Kryeministri turk Rexhep Tayp Erdogan, ka bërë thirrje për përpjekje të reja që do t’i jepnin fund armiqësive mes kombeve rivale në Kaukaz. Pas takimit me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ai tha se ngjarjet e fundit në Gjeorgji kanë bërë të domosdoshëm krijimin e një platforme për stabilitet dhe bashkëpunim me Kaukazin, si dhe krijimin mekanizmave për zgjidhjen e konflikteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›