Avokati i Popullit- rrugorëve: Kujdes me gjobat
TIRANË- Drejtuesit e automjeteve ankohen te Avokati i Popullit për Policinë Rrugore dhe gjobave të shumta dhe vonesave për pagimin e tyre. Ky fakt është konstatuar edhe nga inspektorët e Avokatit të Popullit, të cilët i kanë dërguar një rekomandim krerëve të policisë shqiptare me anë të së cilit kërkoi më shumë sportele ku qytetarët të paguajnë gjobat. “Në institucionin tonë kanë ardhur disa ankesa nga qytetarë të ndryshëm, të cilët ankohen ndaj Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë dhe Seksioneve të Policisë Rrugore në rrethe të ndryshme të vendit. Në ankesat e tyre ngrihet shqetësimi lidhur me, radhë të gjata në sportele për të paguar gjobat dhe indiferenca e punonjësve të policisë për t’u shërbyer qytetarëve, vendosja e gjobave në mungesë dhe të padrejta nga policët rrugorë ndaj qytetarëve, bllokimi i dokumenteve drejtuesve të mjeteve për shkak të mospagimit të gjobave të vendosura atyre”, thuhej në rekomandimin e Avokatit të Popullit. Nga inspektimi i bërë rezultoi, se në sportele nuk kishte radhë të gjatë dhe se punonjësit e policisë, ndonëse në kushte jo komode, kryenin detyrën në mënyrë korrekte. Por nga hetimi i institucionit të Avokatit të Popullit u konstatuan edhe disa probleme si shqetësimi për vendosjen e gjobave nga policët rrugorë në mungesë dhe pa dijeninë e drejtuesve të mjeteve ishte evident. “Në fakt kjo dispozitë njihet nga drejtuesit e policisë rrugore, por moszbatimin e saj ata e justifikonin me mungesën e infrastrukturës, si të regjistrit të adresave, ndryshimin e adresave të drejtuesve të mjeteve, etj për të lajmëruar drejtuesit e mjeteve” thuhej në rekomandim. “Ka raste, ndonëse të pakta, që drejtuesit e mjeteve megjithëse kishin paguar gjobën e vendosur ndaj tyre, ata kapeshin nga policët rrugorë dhe u bllokoheshin dokumentet e automjetit me pretendimin se figuronin në kompjuter që nuk kishin paguar gjobën. Ky shqetësim krijohej për faktin se, rakordimi i pagimit të gjobave ndërmjet Policisë Rrugore dhe Postës Shqiptare me të cilën organet e policisë kishin lidhur marrëveshje për vjeljen e gjobave bëhej me vonesë nga Posta që shkonte deri në disa ditë”, thuhej më tej në rekomandim.