Kume: Komisionet me 13 anëtarë, jo produktive
TIRANË- Ish-Kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, gjykon se draft-kodi i ri zgjedhor do të sjellë një efekt pozitiv në procesin e administrimit të zgjedhjeve. Në një intervistë për “Shekulli”-n, Kume theksoi se kërkesa e forcave politike për të qenë prezente me anëtarë nëpër komisionet, zgjedhjet e kaluara rezultoi si një zgjidhje, e cila mbingarkoi procesin e administrimit të gjithë procesit zgjedhor, pikërisht ditën e zgjedhjeve. Me sistemin aktual, Kume sqaroi se secila parti do të marrë përgjigjen reale për forcën e saj brenda rajonit.
Z. Kume komisioni parlamentar për reformën zgjedhore ka përfunduar punën për hartimin e draft-kodit të ri zgjedhor. Një nga ndryshimet thelbësore dhe që ka sjellë jo pak debat është edhe reduktimi i numrit të anëtarëve të komisioneve të administrimit të procesit zgjedhor në të tre nivelet. Realisht çfarë impakti do të sjellë një ndryshim i tillë në funksion të mirëadministrimit të zgjedhjeve?
Përcaktimi i numrit të anëtarëve të komisioneve të niveleve të ndryshme, pra duke filluar që nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri në komisionin e nivelit të tretë në qendrat e votimit me shtatë anëtarë, nuk është një zgjidhje arbitrare. Natyrisht që nuk ka kriter për përcaktimin e numrit, pasi gjithkush mund të pretendojë pse 7 dhe jo 9 apo 13 anëtarë. Natyrisht, për të vlerësuar këtë, duhet parë përvoja e mëparshme. Kemi pasur komisione me 17 anëtarë, kemi pasur komisione me 13 anëtarë, por kemi pasur komisione edhe me 7 anëtarë, siç ka qenë rasti i KQZ-së së mëparshme. Për mendimin tim, nuk është rritja e numrit, ai që përcakton performancën që mund të realizojë një komision zgjedhor. Përkundrazi, mund të thosha se numri mund të ndikojë negativisht në administrimin e procesit zgjedhor nga ky institucion. Madje doja të sillja në vëmendje të lexuesit vëzhgimet e bëra gjatë ditës së zgjedhjeve nga vëzhguesit, të cilët në jo pak raste deklaronin që në tavolinën e komisionit të qendrës së votimit kishte 5, 6, 7 anëtarë, kurse pjesa tjetër s’kishte vend ku të ulej ose vinin vërdallë në sallë. Kërkesa e forcave politike për të qenë prezente me anëtarë nëpër komisione, e cila në zgjedhjet e kaluara u pranua, rezultoi si një zgjidhje, e cila mbingarkoi procesin e administrimit të të gjithë procesit zgjedhor gjatë ditës së zgjedhjeve.
Mund të sjellë ulja e numrit të anëtarëve të komisioneve një ç’tensionim të situatës, të paktën gjatë ditës së zgjedhjeve dhe gjatë momentit të përllogaritjes së rezultateve?
Ashtu si e thashë edhe më lart, 13 anëtarë komisioni të gjithë së bashku në një dhomë, krijuan probleme në administrimin e procesit, probleme edhe të karakterit fizik. Por përveç kësaj edhe fakti që edhe për të marrë vendime duhet të bësh bashkë shumë mendje nga këto 13 mendje dhe natyrisht që problemet vështirësohen. Në këto kushte unë do të thosha se nuk përfitohet në drejtim të administrimit të procesit zgjedhor, duke rritur numrin e anëtarëve të komisioneve.
Z.Kume, krahasuar me sistemin e mëparshëm, çfarë sjell sistemi që po aplikojmë tani në drejtim të raporteve mes grupimeve politike. Pra, a do të kemi më këto raporte përfaqësimi në Kuvend që kemi tani?
Po t’i referohemi sistemit të mëparshëm rezultatet e zgjedhjeve evidentonin mazhoranca me diferenca goxha të dallueshme nga minorancat. Kurse sistemi mbi bazën e të cilit do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme, i afron kampet politike me njëri-tjetrin, në kuptimin që ndërsa në sistemin e mëparshëm diferencat si subjekte politike midis dy partive të mëdha mund të ishin, maksimumi deri në dhjetë për qind përfaqësimi i tyre, si rezultat i mazhoritarit në parlament, sillte diferenca shumë të mëdha. Ky sistem i ri e përjashton këtë mundësi. Pra kampet mund të dallohen nga njëri-tjetri me një numër relativisht të vogël, aq sa do të jetë dhe diferenca e përqindjeve, që ato të kenë si subjekte zgjedhore si rezultat i votimit. Në kontekstin shqiptar, unë do të thosha se një sistem proporcional nuk do të ketë pasoja negative në aspektin e krijimit të mazhorancave të qëndrueshme qeverisëse. Pra, ne do të kemi përsëri mundësi që të krijojmë mazhoranca të qëndrueshme qeverisëse.
Një pikë tjetër e projekt-kodit të ri zgjedhor sanksionon të drejtën e kryetarëve të partive të garojnë në disa zona zgjedhore, ndërkohë që kandidatëve të tjerë nuk u lejohet. Është kjo një praktikë e njohur edhe në kodet e vendeve të tjera?
Me aq sa kam unë dijeni kjo është një zgjidhje e klasës politike shqiptare. Natyrisht ata që drejtojnë politikën, kur futen në garë kërkojnë të jenë sa më shumë të sigurt për të fituar. Pra drejtuesit e partive kanë shfrytëzuar këtë moment për të siguruar mandatin e tyre. Pra, barazia midis atyre që garojnë, humbet. Preferencat që realizohen për kryetarët e partive është një zgjidhje që kanë nga fillimi deri në fund të dëshirës, ata që drejtojnë për të qenë me patjetër në Kuvend.
Cili është fati që i pret partitë e vogla në zgjedhjet e ardhshme me zbatimin e këtij sistemi?
Në bazë të sistemit që ne kemi sanksionuar edhe në Kushtetutë, partia do të marrë përgjigjen reale për forcën e saj brenda rajonit.