E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani “korrigjon” FMN: Rritja ekonomike 4.5%

Revista prestigjioze amerikane “Forbes” citon Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani të ketë thënë se rritja do të tejkalojë nivelin e 4 për qindëshit të deklaruar nga FMN-ja. 

TIRANE-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani pretendon se rritja ekonomike e Shqipërisë në vitin 2009 është gati të tejkalojë çdo parashikim të tanishëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Revista prestigjioze amerikane “Forbes” citon Fullanin të ketë thënë se rritja do të tejkalojë nivelin e 4 për qindëshit të deklaruar nga FMN-ja. “FMN-ja tha këtë muaj se rritja ekonomike e vendit tonë do të jetë në nivelet 3.5 deri në 4 për qind, por ekonomia shqiptare është në një gjendje të tillë nga ku mund të shpresohet që rritja ekonomike të arrijë nivelin nga 4 deri në 4.5 për qind”, - është shprehur Fullani. Brenda të njëjtit kontekst, Guvernatori i Bankës shton se “tabloja do të qartësohet në 3 muajt e ardhshëm që do jenë vendimtare për Shqipërinë, por ne do të shohim se Shqipëria mund të shkojë mbi 4 për qind në 2009”, - thotë ai.
FMN
Në vitin 2009, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që rritja ekonomike e Shqipërisë të shkojë në nivelin 3,5 deri në 4 për qind për shkak të krizës financiare globale. Në konferencën përmbyllëse para largimit nga vendi ynë, misioni i FMN-së përmes drejtuesit të saj, Geri Bell nënvizoi se kriza botërore, ndonëse jo në përmasa alarmante, do të prekë edhe Shqipërinë në dy aspekte, eksportet dhe pakësimin e të ardhurave nga jashtë. Dy janë pikat e errëta të ekonomisë sonë sipas FMN-së. Ndryshe nga sa pretendon qeveria, FMN-ja deklaron se rritja e të ardhurave nga taksat gjatë këtij viti ka qenë tepër e ngadaltë. Bell nënvizoi se situata financiare e KESH-it muajt e fundit është përkeqësuar, ndërsa kërkoi nga ndërmarrjet publike të shlyejnë detyrimet ndaj korporatës.
Qeveria
Rritja ekonomike mbi 6 për qind e parashikuar nga qeveria në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, ka shkaktuar debate të ashpra mes opozitës dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode gjatë diskutimit të këtij ligji në Komision Parlamentar të Ekonomisë. Ministri Bode ka deklaruar se deri tani rritja ekonomike është vendosur në mënyrë arbitrare nga ndërkombëtar dhe nuk është matur asnjëherë. Por sipas opozitës, shifra prej 6 % vihet në dyshim pasi këtë nuk e ka deklaruar FMN-ja, por thjesht e pretendon qeveria.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›