Greqi, pranga 4 shqiptarëve, akuzohen për 11 vrasje
ATHINË- Shqiptarë që vrasin shqiptarë për të kontrolluar rrugët e drogës në kryeqytetin grek. Kjo ka ndodhur dy vitet e fundit në Athinë ku prishja e një pazari mes anëtarëve të të njëjtës bandë ka sjellë një zinxhir të gjatë vrasjesh. Mbrëmjen e së premtes policia greke ka mundur që të arrestojë katër prej anëtarëve të kësaj bande dhe është shumë pranë arrestimit të një anëtari të pestë. Të arrestuarit Dash Kasemi, 31 vjeç, Kreshnik Kasemi, 23 vjeç, Bledar Ahmetaj, 26 vjeç, dhe Roland Cara, po 26 vjeç, akuzohen për jo pak por për vrasjen e 11 shtetasve shqiptarë në kryeqytetin grek si dhe tentativën për të vrarë 13 persona të tjerë. Shifra të frikshme kur bëhet fjalë për shqiptarë që luftojnë mes njëri- tjetrit për trafikun e narkotikëve.
Arrestimi
Mediat greke raportuan dje se një grup vrasësish shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë pas rreth gjashtë muajsh intensivë hetimesh. Bëhet fjalë për katër persona që vepronin në kryeqytetin helen në lagjen Agios Panteleimonas (Shën Pantelimonas) dhe që akuzohen për 11 vrasje dhe 13 të mbetura në tentativë. Policia e Athinës në një komunikatë për shtyp bëri të ditur se kanë rënë në pranga Dash Kasemi, 31 vjeç, Kreshnik Kasemi, 23 vjeç, Bledar Ahmetaj, 26 vjeç dhe Roland Cara po 26 vjeç, të cilët akuzohen për 11 vrasje dhe 13 tentativa vrasjeje të bashkatdhetarëve te tyre në dy vitet e fundit. Po nga policia e vendit fqinj njoftohet se këta persona janë ndjekur gjashtë muajt e fundit dhe më në fund janë arrestuar pasi janë grumbulluar të gjitha provat e nevojshme. Edhe pse mosha e tyre është shumë e re, mbi ta rëndojnë akuza tepër të rënda. Por këtyre akuzave u shtohen dhe akuzat e trafikut të drogës, trafikut të armëve dhe femrave. Lajmi ka bërë jehonë edhe në median greke e cila e ka quajtur lajmin si një goditje direkt që i bëhet krimit të organizuar në vend.
Rrjeti
Grupi i shqiptarëve të cilët u arrestuan nga policia greke mendohet të jenë një nga grupet më të rrezikshëm që operonin në kryeqytetin helen. Katër prej personave që u arrestuan ditën e enjte në Greqi ishin pjesë e një rrjeti trafikantësh dhe shpërndarësish droge. Grupi ka qenë ipërbërë prej më shumë se 20 trafikantësh dhe mendohet të jetë ndarë në dy pjesë për shkak të mosmarrëveshjeve në “bizneset” e tyre . Mendohet se 11 viktimat që kanë “eliminuar” të arrestuarit ishin pjesë e këtij grupi. Hetuesit grekë pohuan se ajo që ka ndodhur dy vitet e fundit në Athinë mund të konsiderohet si një luftë bandash por edhe si një masakër. Të 11 personat e vrarë bëjnë pjesë në njërin prej krahëve të bandës, i cili mendohet se tashmë është zhdukur fare. Përveç katër të arrestuarve, policia greke dyshon se edhe një person tjetër ka marrë pjesë në vrasjet. Ai është ende në kërkim dhe arrestimi i tij mendohet të jetë çështje kohe. Gjatë arrestimit, tre nga personat janë kapur me armë të ndryshme por edhe 2.5 kg hashash, 1.5 kg heroinë, karikatorë, dhe një shumë prej 7.000 eurosh. Të arrestuarit vepronin në lagjen Shën Pantelimonas dhe ishin bërë problematikë për shkak se shumica e vrasjeve kishin ndodhur dy vitet e fundit.
Të arrestuarit
Dash Kasemi 31 vjeç
Kreshnik Kasemi, 23 vjeç
Bledar Ahmetaj, 26 vjeç
Roland Cara po 26 vjeç