E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit: Ambient i veçantë në burgun e Krujës për të sëmurët mendorë



Tiranë - Avokati i Popullit konstaton mbajtjen e të sëmurëve mendore në Qendrën Spitalore të Burgjeve Tiranë, kur ndaj tyre gjykatat kanë vendosur mjekimin e detyruar në një qendër spitalore civile të specializuar. Për këtë problem, Avokati i Popullit ka kërkuar pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë me anë të një rekomandimi lëshuar në fillim të muajit shkurt të këtij viti që të merreshin masa urgjente për sistemimin e të sëmurëve mendorë në Institutin e Psikiatrisë Ligjore në Durrës. “Por nga informacioni i paraqitur për këtë problem, jemi vënë në dijeni se ky objekt nuk i plotësonte standardet e kërkuara për një qendër të mirëfilltë shëndetësore. Nisur nga ky pretendim, gjatë muajit Mars 2009 përfaqësues të Avokatit te Popullit dhe Ministrisë së Shëndetësisë kanë kryer një inspektim të këtij objekti dhe më pas ky objekt është vizituar edhe nga vetë Avokati i Popullit së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve. Në përfundim të këtyre inspektimeve është konkluduar nga të gjitha palët se ambientet e Institutit te Psikiatrisë Ligjore në Durrës nuk janë të përshtatshme për ofrimin sipas standardeve të shërbimeve ndaj të sëmurëve mendore” thuhej në rekomandimin e Avokatit të Popullit, drejtuar kryeministrit, ministrisë së Drejtësisë, së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së Burgjeve. “Megjithatë për shkak emergjence tani mund të dërgohen përkohësisht rreth 70 të sëmurët mendorë nga Spitali i Burgut në atë të Durrësit. Kjo mund të bëhet përkohësisht”, -thuhej më tej në rekomandim. Në këto rrethana Avokati i Popullit dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve kryen më datë 16 të këtij muaji një inspektim të përbashkët në Burgun e Krujës. Ideja e përbashkët e inspektimit ka qenë mundësia që ky burg të projektohet dhe rikonstruktohet duke krijuar dy ambiente të veçanta, ku në njërën të vazhdojnë të sistemohen kategoritë ekzistuese të të dënuarve, ndërsa në tjetrën të sëmurët mendorë ndaj të cilëve është vendosur nga gjykata mjekim i detyruar në një qendër spitalore të specializuar.

24 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›