Specialistët: Do të shtohen dy vaksinave të reja për fëmijët
Emanuela Sako
Kalendarit të vaksinimit të fëmijëve pritet t’i shtohen edhe dy vaksina të reja. Në Javën Europiane të Imunizimit, autoritetet e shëndetësisë bëjnë apel për vaksinimin e fëmijëve për parandalimin e sëmundjeve infektive. Menaxherja e kalendarit të vaksinimit në vendin tonë, Erida Nelaj u shpreh se shumë shpejt kalendarit të vaksinave do t’i shtohen edhe dy të reja. Sipas saj, janë parashikuar të futen vaksina si pneumokoku dhe rotavirusi. “Java europiane e vaksinimit konsiston dhe me javën europiane të Amerikës, pra sensibilizimi i kësaj jave është bërë global. Ka për qëllim të promovojë vaksinimin si një nga masat parandaluese të sëmundjeve infektive. Janë parashikuar të futen vaksina të reja. Ndoshta do të futet pneumokoku dhe më pas rotavirusi”,- theksoi Nelaj. Ndërkohë që dy muaj më parë, në kalendarin e vaksinave u shtua dhe ajo pentavalente për fëmijët dy dhe katër muajsh, të cilët i mbron nga 5 sëmundje njëkohësisht.
Parandalimi
Vaksinimi parandalon dhe shpëton jetën e fëmijëve nga disa lloj sëmundjesh. Një pjesë e vaksinave bëhen që në muajt e parë të jetës së foshnjave, e më pas ndiqen këshillat e mjekëve për moshën dhe kohën e kryerjes së vaksinave të tjera. Sëmundjet që shmangen nga kryerja e vaksinës janë: Tuberkulozi, me vaksinën BCG; Hepatiti Viral B, me vaksinën Hep.B; Difteria, Tetanozi, Kolla e Mirë, me vaksinën DTP; Poliomyeliti, me vaksinën OPV; Fruthi, Rubeola, Shytat, me vaksinën FRV. Ndërsa në vitin 2009 me futjen e vaksinës pentavalente DTP-Hep B-Hib kemi futjen edhe të vaksinës ndaj infeksioneve të shkaktuara nga Haemofillus Influenca. Të gjitha foshnjat deri në 6 muajsh do të kryejnë vaksinën pentavalente, e cila i mbron nga 5 sëmundje. Kjo vaksinë po kryhet për herë të parë në vendin tonë dhe tashmë i është shtuar programit të vaksinimit.
Vaksina
Vaksina pentavalente, “5 në 1”, parandalon 5 sëmundje: difterinë, tetanozin, kollën e mirë (pertusin), hepatitin B (verdhëzën) dhe infeksionet e shkaktuara nga Haemophilus influenzae tip b (Hib) në veçanti meningjitin e shkaktuar prej tij. Kjo vaksinë kryhet në moshën 2, 4 dhe 6 muaj. Pra, të gjithë fëmijëve që kanë lindur më 1 janar 2009 do t’u ofrohet vaksinimi me vaksinën e kombinuar “5 në 1” (DTP-HepB-Hib). Kjo vaksinë futet në vendin tonë pas një procesi të gjatë të aplikimit pranë GAVI-t (Aleancës Botërore për Vaksinat) që nga viti 2001, kohë kjo kur Shqipëria mund të aplikonte pranë këtij organizmi. Qeveria shqiptare paguan vetëm për komponentin e hepatitit B në këtë vaksinë. Në momentin që përfundon marrëveshja me GAVI-n, pas pesë vitesh, qeveria do të marrë përsipër, ashtu si dhe për të gjitha vaksinat e tjera, financimin e plotë të kësaj vaksine. Kjo vaksinë, ashtu si të gjitha vaksinat e kalendarit kombëtar të vaksinimit, ofrohet falas nga shteti.
24 Prill 2009