E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj “internon” kryetaren e Shoqatës së Gjyqtarëve

Nis operacioni “fshesa” në Gjyqësor, ministri fillon spastrimin. Alibeaj kërkoi dje masë disiplinore ndaj Manjola Bejlerit

Tiranë – Ministria e Drejtësisë ka nisur dje sulmin ndaj kryetares së Shoqatës së Gjyqtarëve, Manjola Bejleri. Ministri Alibeaj ka përkrahur procedimin disiplinor për Bejlerin, ndërsa ky veprim iu servir medias si një iniciativë e KLD-së, pretendim që në fakt nuk rezulton aspak i vërtetë.
Burime nga Ministria e Drejtësisë konfirmuan se kreu i Drejtësisë i ka kërkuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë procedim për kryetaren e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve. Nga ana e saj Manjola Bejleri ka hedhur dje dritë mbi arsyet e këtij akti nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, duke e konsideruar si një aksion të jashtëligjshëm iniciativën e Alibeajt. “Procedimi në fjalë ka nisur pas kundërshtimit të një shorti nga ana ime. Kërkova vetëm të zbatohet ligji. Procedimi është një shkelje e pastër ligjore. Gjithsesi, do të jetë KLD-ja ajo që do të vendosë për procedimin”, - ka deklaruar Bejleri.
Arsyet
Manjola Bejleri ka qenë protagonistja dhe kritikja e spikatur e projektligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës gjyqësore, i cili sipas saj, i vendos gjykatat në kontroll të plotë të ministrit. Bejleri ka kritikuar gjithashtu tejkalimin e kompetencave të kancelarit, që rrjedhin nga ky ligj. Dihet tashmë që dy nene të ligjit për funksionimin e pushtetit gjyqësor, prej nga rrjedh edhe projektligji për administratën gjyqësore, janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese si të papajtueshme me Kushtetutën. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka kritikuar të gjitha ligjet për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor të hartuara nga Ministria e Drejtësisë. Zëri i Shoqatës së Gjyqtarëve ishte mjaft i ndjeshëm edhe në debatin për ligjin e dosjeve. Shoqata e drejtuar prej Bejlerit u ka kërkuar deputetëve të mos e miratojnë draftin për administratën e gjyqësorit, sepse rrëzon pavarësinë e Drejtësisë në vend. Të përfaqësuar nga kryetarja e shoqatës së tyre, Manjola Bejleri, togat e zeza kanë rrëzuar me argumente draftin e paraqitur nga Alibeaj. Projektligji “Për administratën gjyqësore” ka zbuluar se maxhoranca dhe opozita nuk kanë të njëjtin qëndrim përsa i përket reformës në Drejtësi, megjithëse pak muaj më parë u krijua përshtypja se dy forcat politike do të gjenin gjuhën e përbashkët për realizimin e saj. Kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve, Manjola Bejleri, e kundërshtoi këtë projektligj, duke theksuar se me anë të tij po kërkohet t‘i hiqet totalisht mundësia pushtetit gjyqësor për të administruar shërbimet në gjykatë, duke ia kaluar ato Ministrisë së Drejtësisë, një organ ky që i përket pushtetit ekzekutiv.
Deklaratat
Kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve prej disa muajsh ka shprehur publikisht shqetësimin për mënyrën se si është kryer deri tani dhe po kryhet reforma në Drejtësi. Një reformë e mirë dhe e suksesshme realizohet nëse procesi brenda të cilit zhvillohet ajo plotëson standarde ligjore e demokratike. “Të bësh reformë nuk do të thotë thjesht që institucioni që ka tagrin të hartojë drafte e projektligje dhe disa të tjerë të diskutojnë për to. Draftet duhet të hartohen pas një debati të gjerë publik, me qëllim që t‘u jepet zgjidhje problemeve që rezultojnë nga ky debat dhe t‘i hapet rruga një perspektive zhvillimi progresiste”, - ka deklaruar Bejleri pak kohë më parë përpara një komisioni në Kuvend. Sipas Bejlerit, funksioni dhe aktiviteti i Ekzekutivit nëpërmjet strukturave të tij duhet të ushtrohet për të luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e kushteve ligjore për t‘iu përgjigjur zgjidhjes së problemeve të Gjyqësorit për ngritjen e imazhit, të autoritetit dhe integritetit të Gjyqësorit, por jo për të ndërhyrë në pavarësinë e tij dhe për ta varësuar atë nga Ekzekutivi.

24 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›