Vodafone Albania, aktivitete për Ditën Ndërkombëtare të Tokës
Në kuadër të Ditës së Tokës, sanksionuar nga OKB-ja si Dita Ndërkombëtare e Planetit tonë, KESH-i në bashkëpunim me Vodafone Albania, me mbështetjen e Këshillit Studentor të UT-së dhe Rektorit Prof. Dr. Dhori Kule, organizuan në sallën e Senatit të UT-së takimin dhe diskutimin me studentët në lidhje me problemet e ndryshimeve klimatike dhe kursimit të energjisë. Në këtë kontekst KESH-i dhe Vodafone Albania, në bashkëpunim me MASH-in kanë botuar kalendar- axhendën “Një vit për energjinë, një vit për planetin” i destinuar t’u shpërndahet çdo nxënësi të Shkollave të Mesme dhe studentëve të Universiteteve. Në ditën simbol të Tokës, problemi i “ndryshimeve klimatike” konsiderohet si sfida më e madhe e njerëzimit për shekullin e ri. Rëndësia e fushatës “Energjia elektrike është e të gjithëve” adreson dy çështje te rëndësishme, atë të “kursimit të energjisë” dhe “Ndryshimeve klimatike në planet”. Në fjalën e tij, Gjergj Bojaxhi theksoi rëndësinë e kësaj fushate dhe të botimit që i adresohet personalisht çdo të riu. Njëkohësisht, ai nënvizoi kontributin për të parën herë të biznesit, përfaqësuar nga Kompania Vodafone Albania në publikimin e këtij kalendari.
Kompania Vodafone Albania, me përkujdesje ndaj mjedisit ku operon ka vënë në zbatim një numër iniciativash të reja mjedisore të cilat synojnë rritjen e sasisë së energjisë së prodhuar përmes burimeve të energjisë së rinovueshme, zbatimin e sistemeve te teknologjive të avancuara të ftohjes (ftohje e lirë) në stacionet e telekomunikacionit, gjë e cila lejon uljen e konsumit të energjisë për ftohjen e pajisjeve të instaluara në rrjet. Kjo eksperincë, e para e këtij lloji në tregun shqiptar reflektohet dhe në kalendarin e publikuar, duke mundësuar shembuj konkretë të iniciativave për kursimin e energjisë. Specialistët u shprehën se sot në botën shkencore dhe politike ka një mendim unanim dhe të padiskutueshëm për lidhjen midis energjisë dhe klimës. Prodhimi gjithmonë e më i madh i energjisë bazohet tek burimet fosile (nafta, gazi, qymyri) dhe nëpërmjet emetimit të gazrave serë që shkakton problemin e ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimaterike. Ndërsa nga ana tjetër, reduktimi i konsumit të energjisë ndihmon shumë edhe në lehtësimin e ngrohjes globale.
Energjia është një problem që nuk mund të zgjidhet nëse secili pjesëtar i shoqërisë nuk e luan rolin e vet të rëndësishëm. Ajo që ne mund të bëjmë, ashtu si të gjithë qytetarët e vendeve të zhvilluara, është të kursejmë sa të mundemi nga konsumi i energjisë elektrike. Duke edukuar me këtë frymë të rinjtë tanë ne kemi të sigurt edhe edukimin brenda familjeve të tyre. Çdo veprim për kursimin që këshillohet, shoqërohet me përllogaritjen e efektit që ai veprim ka në 2 aspekte: së pari, në kursimin për financat e familjes; së dyti, në kursimin nga lëshimi i emetimeve serë në atmosferë. Ja një shembull i përllogaritjes së masës së kursimit: kur televizori është i ndezur ai konsumon në vit rreth 130 Këh, ndërsa në standby (kur vetëm llamba e kuqe është e ndezur) konsumon rreth 105 Këh. Kjo gjë, do të thotë që edhe kur ne nuk e përdorim televizorin, ai harxhon 80% të energjisë. Për rrjedhim, fikja e standby sjell një kursim prej 900-1200 lekë në vit vetëm nga televizori, sasi energjie e cila konvertohet në rreth 64.7 kg dioksid karboni të kursyer nga atmosfera çdo vit.
Gjithashtu, në material sugjerohen edhe burime on-line (site interneti) të enteve shkencore prestigjioze, në të cilat mund të gjenden informacione të mëtejshme për çështjen përkatëse të çdo muaji.
24 Prill 2009