E Shtunë, 31 Tetor 2026

KSHH: Rivendoset një e drejtë e shkelur ne sistemin gjyqësor



Tiranë - Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) vlerësoi vendimin e marrë një ditë më parë nga Gjykata e Lartë për lirimin nga burgu të një shtetasi, i cili procedohej në mënyrë të padrejtë dy herë për të njëjtën vepër penale. Nëpërmjet një deklarate për mediat, Komiteti Shqiptar i Helsinkit bëri të ditur se, Gjykata e Lartë mori në shqyrtim rekursin e bërë nga avokatët e KSHH në emër të shtetasit Xh. Hoxha, dhe pas gjetjes si të bazuara të argumenteve të paraqitura prej tyre, vendosi lirimin e këtij shtetasi për shkak të gjykimit njëherë më parë të veprës penale. KSHH trajtoi për një kohë të gjatë çështjen në fjalë duke dhënë fillimisht këshillime përkatëse ligjore dhe më pas e përfaqësoi çështjen e Xh. Hoxhës para Gjykatës së Lartë, e cila rivendosi në vend të drejtën e tij, në kuadër të parimit të “gjësë së gjykuar". Sipas KSHH, Gjykata e Lartë konstatoi se në këtë çështje penale, në Shkallët më të ulëta të gjyqësorit, ishte cenuar një nga parimet kushtetuese më të rëndësishme: parimi i mosgjykimit dy herë për të njëjtën vepër penale. KSHH konfirmon se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e qytetarëve duke kontribuar në krijimin e praktikave të mira të respektimit të të drejtave të tyre ndërsa shpreh besimin se, gjykatat shqiptare do të respektojnë parimet kushtetuese.

24 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›