E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja: Autorë krimesh të lehta dërgohen për gjykim te Krimet e Rënda



Habjon Hasani

Tiranë - Gjykata Kushtetuese i ka dërguar një rekomandim organit të akuzës për të treguar kujdes në klasifikimin e veprave dhe dërgimin e të akuzuarve në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Dje Gjykata Kushtetuese mori një vendim pikërisht për të zgjidhur një përplasje të tillë duke rekomanduar Prokurorinë të tregohet e kujdesshme. Në fakt bëhej fjalë për çështjen “Elton Bazelli kundër Prokurorisë së Përgjithshme”. Në këtë çështje Prokuroria e Përgjithshme u bë objekt padie se kishte dërguar çështjen në Gjykatën e Krimeve të rënda me pa të drejtë. Sipas vendimit të Kushtetueses rezulton se gjykatat për krime të rënda, sipas nenit 2/2 të ligjit nr. 9110, datë 27.07.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave për Krime të Rënda”, janë hallka të sistemit gjyqësor që shqyrtojnë në shkallë të parë dhe të dytë krimet me rrezikshmëri të lartë, të përcaktuar në ligj. “Në kundërshtim me pretendimin e subjektit të interesuar, shqyrtimi i një çështje nga një gjykatë jo kompetente nuk përbën në çdo rast vetëm një shkelje procedurale, por ka të bëjë edhe me respektimin e të drejtës kushtetuese për tu gjykuar nga një gjykatë e caktuar me ligj. Marrja nga një gjykatë e kompetencës që i takon me ligj një gjykate tjetër, mund të bëhet vetëm nëse e lejon ligji dhe vetëm nga gjykatat që ai cakton. Ligjvënësi, me shtesat dhe ndryshimet e bëra, ndërsa ka parashikuar në kodet e procedurave penale e civile pasojat e mosrespektimit të kësaj ndarjeje, nuk ka parashikuar ndonjë përjashtim për gjykimin e ndonjë çështjeje nga gjykatat e krimeve të rënda kur ajo sipas ligjit i takon të gjykohet nga gjykatat e zakonshme të rretheve gjyqësore”, shkruhet në vendim.
Gjykimi
Sipas Gjykatës Kushtetuese mosrespektimi i objektit ligjor të gjykatave nga ana e prokurorisë i kthen në nul të gjitha gjykimet e ngjashme. “Mosrespektimi i kompetencës lëndore e bën vendimin gjyqësor absolutisht të pavlefshëm dhe pretendimi për respektimin e kësaj kompetence mund të ngrihet si nga i pandehuri/i gjykuari, ashtu edhe kryesisht në çdo fazë të procesit. Në ndryshim nga kompetenca lëndore, akti i dhënë në mungesë të kompetencës tokësore është një akt relativisht i pavlefshëm dhe deklarohet si i tillë nga gjykata mbi kërkesën e palëve, bërë para se të fillojë shqyrtimi gjyqësor. Sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin, se Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe ajo e Apelit për Krime të Rënda, duke gjykuar vetë çështjen për një vepër penale që i takon kompetencës së gjykatave të zakonshme të sistemit gjyqësor, kanë zhvilluar një proces jo të rregullt ligjor në kuptim të nenit 42 të Kushtetutës dhe nenit 6/1 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut”, -cakton vendimi.
Beteja
Problemet e zbatimit dhe të interpretimit të ligjit, duke përfshirë edhe dispozitat për kompetencën, u takojnë në parim gjykatave të pushtetit gjyqësor. Megjithatë, duke u nisur edhe nga jurisprudenca kushtetuese, tejkalimet e kompetencave mund të merren në shqyrtim prej Gjykatës Kushtetuese kur ka pasur një shkelje të tillë të ligjit procedural që ka cenuar të drejtat kushtetuese për një proces të rregullt ligjor. “Detyrimi i respektimit nga gjyqtari të kufirit të kompetencës është ndër të tjera parakusht për të mos lejuar që shumë gjyqtarë të ushtrojnë të njëjtin pushtet me vendime për një fakt të caktuar, duke cenuar parimin kushtetues të ligjshmërisë apo të gjykimit të një personi dy herë për të njëjtën vepër (ne bis in idem), të parashikuar përkatësisht në nenet 4/1 dhe 34 të Kushtetutës. Prandaj, për çdo rast dhe çështje të mundshme, ligji ka parashikuar një gjykatë kompetente për të gjykuara”, thekson vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

24 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›