E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit. Dobjani: “Procesi i kartave të identitetit në fazë kritike”

Nëntë shkeljet që janë konstatuar pas inspektimit 2-ditor nëpër njësitë bashkiake. Avokati i Popullit, akuza firmës “Sagem” për mungesë transparence në lidhje me këtë proces

Laureta Rryçi

Tiranë - Avokati i Popullit ka dhënë alarmin se procesi për pajisjen për kartat e identitetit ndodhet në një fazë kritike. Deklarata ka ardhur dje pas një inspektimi 2-ditor nëpër të gjitha njësitë bashkiake të kryeqytetit. Dobjani bëri publike për mediat të dhënat që kanë dalë nga ky inspektim ndërsa ishte bashkë me ambasadorin e OSBE-së Robert Bosch. Ky i fundit deklaroi se qytetarët shqiptarë nuk duhet të neglizhojnë procesin e aplikimit. Po kështu diplomati i huaj i kujtoi dje qeverisë se për shtresat në nevojë duhet të rishikojë sërish tarifën e aplikimit në mënyrë që numri i të pajisurve me kartë të jetë sa më i lartë.
Inspektimi
Duke pasur parasysh rëndësinë e procesit dhe ankesat e qytetarëve, Avokati i Popullit pak ditë më parë ka kryer një inspektim prej dy ditësh në të gjitha njësitë bashkiake të kryeqytetit për të parë mbarëvajtjen e këtij procesi. Dobjani është shprehur dje me tone shqetësuese në lidhje me këtë proces.
“Procesi është në faza kritike, pasi është i kushtëzuar sa nga ngushtimi i faktorit kohë (deri me datën 28 qershor 2009), aq edhe nga mundësitë fizike dhe financiare të grupeve të veçanta të qytetarëve shqiptarë. Avokati i Popullit u bën thirrje publike të gjithë qytetarëve shqiptarë, në veçanti atyre që nuk janë të pajisur me pasaportë për jashtë shtetit (pra kategorisë së personave që duhet të pajisen me letër njoftime) të nxitojnë pranë njësive vendore përkatëse, ku janë vendosur pajisjet elektronike, të aplikojnë sa më parë”, - tha Dobjani. Më tej, ai shpjegoi se një ekip i Zyrës së Avokatit të Popullit në datat 10 dhe 11 mars 2009 bënë një sërë inspektimesh në Njësitë Bashkiake Nr. 1, 2, 3, 4, 5, 8, 9, 10 e 11. Objekt i këtyre inspektimeve ishte verifikimi në vend i procesit të pajisjes së shtetasve me letërnjoftime dhe i disa shqetësimeve të ngritura nga media lidhur me këtë proces. Me datën 11 mars 2009, pas takimit zyrtar me zëvendësministrin e Brendshëm, Ferdinand Poni, ku atij iu parashtruan problemet e konstatuara, bashkë me të kanë shkuar sërish për riverifikim në Njësitë Bashkiake Nr. 1, 2, 3, 4 dhe 5 të Tiranës.
Shqetësimet
Avokati i Popullit konstatoi se shqetësimi i ngritur edhe më parë (qysh në vitin 2002), lidhur me mosçregjistrimin nga regjistrat e gjendjes civile të shtetasve të vdekur, qëndron akoma. Ky mosveprim lidhet me faktin se nga disa nëpunës nuk njihej e drejta ligjore, sipas së cilës kur shërbimi i gjendjes civile ka të dhëna se persona të vdekur vazhdojnë të qëndrojnë të regjistruar në regjistrin themeltar, duhet të ngrejë padi në gjykatë për të vërtetuar vdekjen. Në të njëjtën kohë është konstatuar se nga disa nëpunës të tjerë, megjithëse njihej kjo e drejtë ligjore, ajo nuk ushtrohej për motive nga më të ndryshmet. Po kështu, nuk janë çregjistruar edhe personat, të cilëve u është hequr shtetësia shqiptare, ndonëse Avokati i Popullit e ka rekomanduar edhe rrugën e zgjidhjes. Nga kontaktet e drejtpërdrejta, nëpunësit e gjendjes civile u ankuan se nuk paguheshin për kohën jashtë orarit zyrtar të punës, problem që Avokati i Popullit e ka shkruar në raportin që u ka dërguar instancave shtetërore. “Një problem tjetër tepër shqetësues për këtë proces jetik është edhe mungesa e transparencës nga shoqëria “Sagen”, fituese e koncesionit me shoqërinë Aleat prodhuese të letërnjoftimeve. Ky fenomen u konstatua nga komunikimi me disa operatorë, të cilët na thanë se kishin porosi për të mos dhënë informacione. Për këtë, me dt. 11.03.2009, dy përfaqësues të zyrës sonë shkuan në selinë e shoqërisë prodhuese për të marrë një informacion rreth këtij procesi. Por informacioni i kërkuar nuk iu dha, duke thënë se atë ia jepnin Ministrisë së Brendshme dhe se atje duhet ta merrnim edhe ne”, - kështu thuhej në raportin e Dobjanit. Avokati i Popullit ka reaguar ashpër ndaj këtij qëndrimi hermetik jo vetëm për faktin se nuk ka mundësi të sigurojë informacionin e kërkuar përsa i takon çështjes në fjalë. Avokati i Popullit konsideron se në rastin konkret shoqëria prodhuese po kryen një shërbim publik, në emër të shtetit shqiptar, prandaj duhet të dëshmojë një standard të lartë performance dhe transparence. “Ne nuk besojmë që në kushtet e kontratës të mungojë standardi i transparencës ndaj konsumatorit. Kjo kompani nga një vend perëndimor nuk mund dhe nuk duhet lejuar që të veprojë me standarde të dyfishta, të ulëta për publikun shqiptar. Aq më tepër që koston do ta merrte mbi vete pikërisht qeveria shqiptare dhe qytetarët shqiptarë dhe aspak pronari i kësaj shoqërie, i cili duhet theksuar që fitimin material e ka të siguruar”, - përfundoi Dobjani.

Rekomandimi i Dobjanit për “Sagem”
Avokati i Popullit i sugjeron kësaj kompanie:
1. Të hapë sa më shpejt një zyrë të komunikimit me mediat dhe publikun
2. Të njoftojë qytetarët me saktësi, me anë të telefonit, për datën e paraqitjes për të marrë në dorëzim dokumentin ose këtë datë t’ua bëjë të njohur në ditën që ata aplikojnë duke vendosur me shkrim datën e paraqitjes

Konstatimet pas inspektimit të Avokatit të Popullit

1. Në disa Njësitë Bashkiake Nr.1, 2, 5 dhe 9 kishte radhë njerëzish, ndërsa në disa të tjera, si në ato Nr. 10,11,3 dhe 4, nuk kishte radhë. Ne konkludojmë se, sipas gjendjes së konstatuar dje dhe pardje, mund të thuhet se shërbimi i aplikimit nuk është i ngarkuar, pra punon jo me kapacitet të plotë. Prandaj, nga të gjitha organet dhe palët e interesuara duhet të nxitet publiku që të aplikojë sa më parë dhe sa më shumë me qëllim që të mos krijohet situatë piku, pra mbingarkese, afër datës 28 qershor 2009.

2. Qytetarët ankohen se nuk u caktohet një datë (afat) e saktë për t’u paraqitur që të marrin kartat e plotësuara. Afati 15-ditor i shpallur nuk është respektuar. Dje dhe pardje ishin të gatshme për t’iu dhënë Kartat vetëm atyre qytetarëve që kishin aplikuar deri para datës 5 shkurt 2009. Pra, deri tani, realisht afati i dorëzimit ka qenë mbi një muaj pas datës së aplikimit. Qytetarët u ankuan se ishin të detyruar të paraqiteshin disa herë pranë pikave të dorëzimit dhe asnjëherë nuk merrnin një datë të saktë. Po kështu, edhe punonjësit e kompanisë që bënin shpërndarjen u ankuan për këtë mënyrë shpërndarjeje. Në disa njësi, operatorët u ankuan se në disa raste procesi vonohej sepse kishte ndërprerje të punës për shkak të rrjetit kompjuterik.

3. Nga disa shtetas kishte ankesa se sorollateshin lidhur me gabimet e bëra në regjistrat e gjendjes civile. Në këto raste, atyre u kërkohej që të shkonin e merrnin certifikata deri edhe në zyrat e gjendjes civile ku kishin pasur më parë vendbanimin, pra qoftë edhe në rrethe të tjera.

4. Një mangësi tjetër përbën fakti se në regjistrin elektronik kishte pasaktësi të gjeneraliteteve. Gjithashtu, në regjistrin elektronik ka dublime të fshehura emrash. Ky fenomen ndodhte në rastet kur vajzat e martuara kishin marrë mbiemrat e bashkëshortëve, kur kishte ndryshim emrash, korrigjim të gjeneraliteteve etj.

5. Nga këqyrja në vend e procesit u vërejt se programi kompjuterik i shoqërisë prodhuese kishte mangësi, fjala vjen, nëse ndonjërit i ishte regjistruar gabim emri i vendlindjes (fshatit), po të bëje ndryshimin e tij, fshihej emri i rrethit. Po kështu, pengohet edhe aplikimi për personat që kanë datëlindjen në datën 29 shkurt.

6. Një problem përbën edhe fakti se deri tani, kompania prodhuese e kartave nuk kishte zgjidhje për të sëmurët, invalidët dhe tepër të moshuarit, që t’ua ofronte mundësinë e aplikimit nëpër banesa.

7. Një problem tjetër me rëndësi është edhe konstatimi se nuk është parashikuar deri tani zgjidhja e pajisjes me letërnjoftim e të burgosurve.

8. Disa qytetarë pensionistë kishin ankesa për “çmimin e lartë” të letërnjoftimit. Ky problem u ngrit edhe nga drejtues të pushtetit vendor, sipas të cilëve qytetarët që nuk kishin të ardhura nuk vinin për aplikim. Ne i sugjerojmë qeverisë që ta rishohë mundësinë e uljes së çmimit për këto kategori.

9. Njëkohësisht, disa shtetas që, sipas VKM-së, përfitonin rimbursim për çmimin e paguar të letërnjoftimit, nuk e kishin marrë shumën e rimbursuar dhe nuk ishin të informuar se kur dhe si do t’u bëhej rimbursimi.

13 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›