E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: Deri në vitin 2020 do të paguhet 2% e PPB-së për mbrojtjen



Shqipëria do të respektojë kushtin e NATO-s për të paguar 2 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto për strukturat e mbrojtjes deri në vitin 2020. Kështu u shpreh këshilltari i kryeministrit, zoti Glori Hysi, në konferencën e përbashkët me ambasadorët e tri vendeve të Europës Lindore; të Çekisë, Hungarisë dhe Polonisë, të cilat kremtuan dje 10-vjetorin e integrimit në Aleancën Euroatlantike. Hysi u shpreh se Shqipëria do ta respektojë këtë angazhim që ka marrë si dhe do të jetë pjesë e misioneve paqeruajtëse që do të ndërmarrë NATO-ja në vendet me konflikt.
Në deklaratën e përbashkët të ambasadores çeke, ambasadorit polak dhe atij hungarez thuhet se “12 marsi (1999) ishte një ditë e rëndësishme jo vetëm në historinë e këtyre tri vendeve, por edhe për vetë Aleancën.
“Vendimi i NATO-s për t'i zgjedhur këto tri shtete për zgjerimin erdhi pas disa dekadash pas Luftës së Ftohtë dhe ishte një mesazh i NATO-s për të gjithë botën, pasi riforcoi angazhimin dhe provoi aftësitë për të mbrojtur dhe promovuar lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Me aksesin në NATO vendet tona u rikthyen në një komunitet demokratik pas një periudhe të gjatë të regjimit diktatorial”, - theksuan ambasadorët e këtyre tri vendeve.
“60-vjetori i NATO-s do t’i gjejë dy vendet e Ballkanit Perëndimor në aleancën politike dhe ushtarake dhe ne shpresojmë se në një periudhë të mëvonshme do të ketë edhe shtete të tjera nga rajoni që do t’i ndjekin”, - thuhet në deklaratën e përbashkët.
Më tej në deklaratë citohet se “ne do të mbështesim Shqipërinë në vazhdimin e reformave për të forcuar demokracinë, si një tregues kyç për integrimin në strukturën euroatlantike”.
Tre ambasadorët e këtyre vendeve të akredituara në Shqipëri, përkatësisht ambasadorja çeke Fialkova, ambasadorja e Polonisë Tatarzynska dhe ambasadori hungarez Molnari, kanë deklaruar se anëtarësimi në NATO ka rezultuar shumë pozitiv për vendet e tyre, duke prodhuar, mbi të gjitha, siguri në këto shtete. Po ashtu, kjo është pasuar edhe me përgjegjësi politike dhe sociale nga udhëheqja e këtyre shteteve. Më 12 mars 1999 NATO-ja bëri zgjerimin e parë me shtete të reja nga Europa Lindore, pikërisht me rastin e 50-vjetorit dhe në pikun e luftës në Kosovë. Tashmë, me rastin e 60-vjetorit të formimit të Aleancës, janë në pritje për të hyrë brenda saj Shqipëria dhe Kroacia, gjë që pritet të bëhet realitet në Samitin e Strasburg-Këlnit më 3-4 prill të këtij viti.

13 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›